Bisedimet mes SHBA dhe Iranit mund të rinisin gjatë dy ditëve në vazhdim. Këtë e tha presidenti amerikan Donald Trump. Në një intervistë telefonike për New York Post Trump deklaroi fillimisht se negociatat po zhvilloheshin, edhe pse në mënyrë të ngadaltë. Por, siç raporton e përditshmja, 30 minuta më vonë, kishte telefonuar sërish gazetarin që e intervistoi për ta informuar se bisedime të tjera mund të zhvilloheshin në Europë.
“Duhet të qëndroni në Islamabad pasi diçka mund të ndodhë përgjatë dy ditëve të ardhshme, dhe ne jemi më të prirur të shkojmë atje. E dini pse? Sepse marshalli i fushës po bën një punë të shkëlqyer”
Trump iu referua gjeneralit pakistanez, Asim Munir, të cilin edhe më herët e ka cilësuar si të preferuarin e tij. Një deklaratë të ngjashme presidenti amerikan e bëri edhe për media të tjera amerikane, ku theksoi se zëvendësi i tij JD Vance ishte pozitiv për mënyrën se si ishin gjërat aktualisht.
“‘Mendon se keni përpara dy ditë të mrekullueshme’”, tha ai, teksa shtoi se nuk mendonte që do të ishte e nevojshme zgjatja e armëpushimit që mbaron në 21 prill. Sipas tij, lufta ishte pranë fundit.
“Mund të përfundojë në çfarëdo mënyre, por mendoj se një marrëveshje është e preferueshme sepse atëherë ata mund të rindërtojnë. Ata vërtet kanë një regjim ndryshe tani. Pavarësisht gjithçkaje, ne i eliminuam radikalët.”
Zyrtarë nga Pakistan, Iran dhe Gjiri thanë gjithashtu se ekipet negociatore mund të rikthehen në Islamabad këto ditë, edhe pse një zyrtar i lartë në Teheran pohoi se nuk është caktuar ende një datë.
Por pavarësisht toneve pozitive, më shumë anije u penguan të lundronin si pjesë e bllokadës amerikane ndaj porteve të Iranit, përfshirë një cisternë kineze. Kreu i komandës qendrore amerikane deklaroi se ushtria e tyre kishte bllokuar plotësisht tregtinë ekonomike për dhe nga Irani, që sipas tij ushqen 90 për qind të ekonomisë iraniane.
(A2 Televizion)