
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deklaroi se buxheti i ri është historik sepse, sipas tij, ulet kostoja e jetesës për shqiptarët.
“Buxheti është historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë buxheti prek 10 miliardë euro. Por, ky buxhet është i rëndësishëm jo vetëm për këtë fakt. Është i rëndësishëm edhe për faktin se shumica qeverisëse, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë, me këtë buxhet ul atë që është fjala kyçe në Shqipëri: koston e jetesës. Lehtëson barrën fiskale për shtresën e mesme dhe vazhdon të rrisë mbështetjen për pensionistët dhe për ata që janë në nevojë”, tha Rama, shkruan A2.
Më tej, ai theksoi se “raporti i progresit i thotë të tëra arsyet pse ne duhet të vazhdojmë punën tonë”.
Ndërkohë, “thumboi” edhe opozitën: “Të jesh në pushtet dhe të protestojnë kundër teje, është normale; të jesh në opozitë dhe të mos të të lejojnë t’i afrohesh protestës, është gjëja më e dhimbshme”. (A2 Televizion)