“Rindërtimin po e përdorni për fushatë”, Tabaku, debat me Ballën në Kuvend për projektligjin e strehimit

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2026, 10:54 | Politikë

“Rindërtimin po e përdorni për fushatë”, Tabaku,

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi në seancën plenare heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për strehimin, pasi sipas saj ishte përfshirë pa respektuar rregulloren e Kuvendit. Në fjalën e saj në kuvend deputetja demokrate akuzoi qeverinë se po e përdor procesin e rindërtimit për qëllime elektorale. Sipas saj shumë banesa të premtuara pas tërmetit ende nuk janë përfunduar.

“Nuk ka qenë në programin e punës, e keni përfshirë në seancë pa respektuar rregulloren. Keni bërë tenderë, nuk keni shpërndarë banesa. Sa herë ka tërmet këtu në Shqipëri, ndodh ky fenomen. Prezantohet në buxhet në vitin e parë dhe më pas s’ka buxhet pasardhës që mbulon fondet. Doli që banesat e rindërtimit, që duhej të ishin rindërtuar, akoma sot e kësaj dite i përdorin si mall elektoral. A ka fatkeqësi më të madhe që të përdoret korrupsioni e vjedhja aty ku ka pasur humbje jetësh? Duan ta përdorin edhe rindërtimin për fushatë elektorale. E meqë paska ardhur edhe Rama, meqë u duhet kartoni, zgjedhjet e 9 majit janë zgjedhje që, pa nisur akoma, janë zgjedhje të vdekura. E gjithë Shqipëria është ngritur në këmbë kundër këtij njeriu, se sot ka kapur për fyti ekonominë, çdo sektor, buxhetin dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë, që po i kërkojnë: Rama, jep dorëheqjen!", tha Tabaku.

Kërkesës së saj iu përgjigj kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili tha se rreth 10 mijë familje presin të hyjnë në banesat e tyre dhe se shqyrtimi i projektligjit nuk mund të shtyhet.

“Mendoj që ishte një lapsus kur the ‘sa herë ka tërmet’. Juve, e vetmja gjë që ju duket tërmet është rezultati i zgjedhjeve dhe besoj që të foli dikush brenda vetes kur parashikove rezultatin e 9 majit. Por ne nuk kemi kohë për të humbur me ju. Që ne të presim që 10 mijë familje të hyjnë në banesa dhe të presim nazet tuaja? Nuk ju presim edhe një minutë", tha Balla.

Pas kësaj, kërkesa e opozitës për ndryshimin e rendit të ditës u rrëzua. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos