Kryeministri Edi Rama njoftoi në Kuvend se pragu i regjistrimit për TVSH-në do të ulet nga 10 në 5 milionë lekë. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Kuvend, Rama tha se kjo masë synon të pengojë bizneset e mëdha të përdorin skemën e biznesit të vogël për të shmangur detyrimet fiskale. Kreu i qeverisë theksoi se biznesi i vogël do të vijojë të përfitojë nga tatimi zero mbi fitimin deri në vitin 2029. Rama njoftoi gjithashtu se pragu i sipërm i tatimit mbi pagën për shtresën e mesme do të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë do të aplikohet norma 30%.
“Sot ekonomia e rritur na jep mundësinë që 32 mijë tatimpaguesve që i përkasin shtresës së mesme t’ua ngremë pragun e sipërm të tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Dhe t’u japim mundësinë të ndihen më mirë në vendin e tyre dhe që kjo shtresë të vazhdojë të zgjerohet duke pasur një barrë fiskale më të ulët. Për pjesën e pagës mbi 700 mijë lekë, shkojmë në normën e taksimit 30%, që është kombinimi i të dyjave, i 15% të fitimit të kompanisë me 15% të dividendit, në mënyrë që, duke forcuar progresivitetin e sistemit, të mbyllim shtigje të evazionit fiskal dhe të mos lejojmë ata që janë pronarë kompanish të shfaqen si rrogëtarë apo si biznese të vogla. Ruajmë zotimin tonë të tatimit zero mbi fitimin e biznesit të vogël. Deri në 2029 nuk do ta tatojmë biznesin e vogël. Për të forcuar formalizimin, për të mos lejuar që biznesi i vogël rëndom të përdoret si një shteg për të mëdhenjtë që të shmangin detyrimet, ne do ta ulim pragun e regjistrimit për TVSH-në 5 milionë lekë".
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për buxhetin.
“Dhe kush e konsideron taksë mbi biznesin e vogël, duhet të rishikojë formimin e vet dhe ta kuptojë mirë. Mos i bëni shqiptarët për budallenj, se kur të vijë dita e hesapit, do ta keni të kripur. Kështu ka ndodhur në çdo zgjedhje dhe kështu do të ndodhë më 9 maj", tha Rama.
(A2 Televizion)