
SHBA dhe Ukraina njoftojnë se kanë përgatitur një kornizë të përditësuar për paqen, ndërsa ekipet negociuese po vazhdojnë punën intensive në Gjenevë.
Sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, bisedimet kanë qenë “shumë produktive” dhe kanë sjellë përparime të jashtëzakonshme, edhe pse disa çështje mbeten ende për t’u zgjidhur.
Rubio tha se palët po përpiqen të ngushtojnë pikat e diskutueshme të planit amerikan me 28 pika.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se ka “sinjale pozitive” se ekipi i Presidentit Trump po dëgjon shqetësimet e Ukrainës.
Sipas detajeve të rrjedhura, drafti përfshin tërheqjen e trupave ukrainase nga zona të Donetskut, pranimin e kontrollit rus në Donetsk, Luhansk dhe Krime, si dhe ngrirjen e vijave të frontit në Kherson e Zaporizhzhia. Plani propozon edhe kufizimin e ushtrisë ukrainase në 600 mijë trupa dhe heqjen dorë nga synimi për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të paqarta sigurie.
Drafti përmend gjithashtu heqjen graduale të sanksioneve ndaj Rusisë dhe rikthimin e saj në ekonominë globale.
Rubio këmbënguli se plani është hartuar nga SHBA-të me kontribut nga Moska dhe Kievi, duke mohuar pretendimet se bëhet fjalë për një propozim rus. Ai u shpreh optimist se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti.
Megjithatë, diplomati më i lartë amerikan tha se çdo marrëveshje përfundimtare do të duhej të miratohej nga presidentët e Ukrainës dhe SHBA-së përpara se t'i paraqitej Rusisë dhe se kishte ende disa çështje që po negocioheshin. (A2 Televizion)
