Ish-kryeministri britanik Boris Johnson është përfshirë në marrëdhënie biznesi me sauditët, sipas dokumenteve që kanë rrjedhur së fundmi. Dokumentet e publikuara tregojnë se ish-kryeministri britanik u përpoq të shfrytëzonte kontaktet e tij si kryeministër në Downing Street për të promovuar interesat e një konsulence të sapoformuar.
Sipas Guardian, Johnson iu afrua zyrtarëve të lartë sauditë, përfshirë Ministrin e Tregtisë Majid al-Qassabi, të cilin e kishte takuar gjatë kohës së tij në qeveri, për të propozuar Better Earth, një firmë konsulence britanike të themeluar në vitin 2023 nga biznesmeni kanadez Amir Adani, një investitor i madh në minierat e uraniumit, me Johnson si bashkëkryetar.
Në këtë kontekst, ish-kryeministri mori pjesë në një drekë me ministrin saudit dhe i shkroi një letër personale Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, në të cilën e përshkroi veten si një admirues të flaktë të vizionit të tij për mbretërinë.
“Do të isha shumë i interesuar të shqyrtoja nëse "Better Earth" mund t'ju jetë e dobishme në arritjen e ambicieve tuaja, sepse besoj se sigurisht që mundet", shkruan po ashtu ai në këtë letër.
Dokumentet, të cilat vijnë nga një rrjedhje e informacionit e njohur si “Dosjet Boris” dhe u botuan nga rrjeti amerikan Distributed Denial of Secrets, detajojnë kontaktet dhe letrat e Johnson. Ato madje përfshijnë referencat e tij për përvojat personale me al-Qasabi, kur ai e takoi atë "të veshur me një kostum banje me lule".
Pjesëmarrja e Johnson në kompani u realizua në janar 2024, vetëm një ditë pas vizitës së tij në Riad, në këmbim të një page vjetore prej 120,000 £ dhe një pjese prej 12.5% të aksioneve në kompani. Ai i tha komitetit përkatës të Mbretërisë së Bashkuar për aktivitetet post-politike (Acoba) se do të fillonte punën në mars, pa përmendur se kishte nënshkruar tashmë një marrëveshje.
Acoba e miratoi emërimin me kushte të rrepta, duke ia ndaluar Johnsonit për dy vjet përdorimin e kontakteve që kishte krijuar si kryeministër. Megjithatë, dokumentet tregojnë se ai kishte filluar tashmë veprime të tilla, duke ngritur pyetje nëse kufizimet ishin shkelur.
Në letrat e tij drejtuar zyrtarëve sauditë, Johnson promovoi kontributin e Better Earth në energjinë e gjelbër dhe çështjet e reduktimit të emetimeve, duke përfshirë përgatitjen e vendit për samitin e OKB-së për klimën (COP30).
Siç vëren Guardian, ai, kompania dhe qeveria saudite nuk i janë përgjigjur kërkesave për koment. Aksionarët e Better Earth përfshijnë shtatë bashkëpunëtorë të ngushtë dhe miq të Johnson, përfshirë dy ish-ministra konservatorë dhe Charlotte Owen, një ish-këshilltare të cilën Johnson e shpërbleu me një fisnikëri të përjetshme. (A2 Televizion)