Largohuni tani! Ishte mesazhi që ra nga qielli i Gazës këtë të martë, ku ushtria izraelite hodhi fletëpalosje që udhëzonin banorët të evakuoheshin menjëherë nga qyteti, pasi IDF do të operonte atje me fuqi të plotë. Gjithashtu përmes një postimi në rrjetet sociale, zëdhënësi i ushtrisë, në gjuhën arabe u bëri thirrje banorëve në të gjitha lagjet e qytetit të gazës të shpërnguleshin drejt një zone humanitare.
Më herët autoritetet izraelit kërcënuan me uragan sulmesh Hamasin, për ta detyruar të lirojë të gjitha pengjet dhe të dorëzohet, në paralajmërimin e fundit, siç e cilësuan. Rreth 1 milion banorët e qytetit presin prej javësh ofensivën madhore të forcave izraelite që kur qeveria Netanjahu miratoi planin për t’i dhënë goditjen finale Hamasit, në atë që e konsideron bastionin e fundit.
“Ju premtova pak ditë më herët se do të rrëzojmë kullat e terrorit në Gaza dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë. Gjatë ditëve të fundit 50 kulla të tilla u rrëzuan nga forcat ajrore. Tani e gjitha kjo është vetëm fillimi I aktit më të fuqishëm, që është një manovër tokësore e forcave tona që po organizohen në qytetin e gazës. Kjo është ajo që u them banorëve të Gazës; Dëgjoni me kujdes. Ju kemi paralajmëruar; largohuni tani”, tha Netanjahu.
Urdhri i evakuimit shkaktoi panik dhe konfuzion mes banorëve në qendrën më të madhe urbane të qytetit. Disa thonë se nuk kanë zgjidhje përveç se të largohen në jug, por shumica janë të vendosur të qëndrojnë pasi asnjë vend tjetër nuk është i sigurt.
Pushtimi i qytetit të Gazës ndërlikon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare. Ishte shpresuar që ndërmjetësuesit e huaj do të ndihmonin për të arritur një armëpushim qe do të pengonte planin izraelit.
Nën shtytjen e Katarit, Hamas tha po shqyrtonte propozimin e SHBA për një armëpushim në gaza, dhe se po diskutonte me ndërmjetësuesit mbi mënyrat për të realizuar idetë e parashtruara atje. Ofensiva izraelite vjen teksa një sërë shtetesh europiane të zemëruar nga bombardimet në Gaza, kane paralajmëruar njohjen e shtetit palestinez gjatë asamblesë së përgjithshme të OKB. (A2 Televizion)