Në Bjellorusi ka nisur ndërtimi i asaj që ekspertët e përshkruajnë si objekt ushtarak në të cilin potencialisht mund të ruhen raketa strategjike ruse.
Fotografitë janë analizuar edhe nga gazetarë të Radios Evropa e Lirë (REL) dhe partnerë të saj në një projekt hulumtues.
Imazhet e siguruara nga Planet Labs të objektit që po ndërtohet në rajonin Sllutsk, 60 kilometra në jug të Minskut, tregojnë se në atë hapësirë po ndërtohet me hapa të shpejtë, pasi disa pamje televizive të majit të vitit 2024 tregojnë se zona ka qenë krejtësisht e paprekur në atë kohë.
Autoritetet bjelloruse kanë qenë të heshtura për projektin, i cili gjendet në një hapësirë ku në periudhën sovjetike janë ruajtur raketa me kapacitet bërthamor.
Hulumtimi për objektin e ri është kryer nga Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë, Skemat, njësiti hulumtues i Shërbimit ukrainas të REL-it, dhe mediat estoneze, Delfi Estonia dhe Eesti Ekspress.
Në dokumentet publike nuk është përmendur ndonjë referencë për ndryshime, për këtë objekt nuk është raportuar në media lokale dhe nuk është bërë asnjë përditësim në hartat kadastrale që sinjalizojnë punime në atë zonë.
As lideri autoritar, Aleksandr Lukashenko, dhe as ndonjë zyrtar tjetër nuk janë deklaruar në këtë drejtim. Tentimet për të marrë një koment të Ministrisë së Mbrojtjes kanë rezultuar të pasuksesshme.
Ndërtimi i ri ka nisur teksa Rusia e ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Bjellorusinë, pas nisjes së luftës së plotë në Ukrainë, e cila i ka rritur tensionet me NATO-n dhe Perëndimin. Duke qenë vend shpëtimi për Rusinë, Bjellorusia ndan kufirin jugor me Ukrainën, dhe atë veriperëndimor me anëtarët e NATO-s: Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.
Presidenti rus, Vladimir Putin është mburrur disa herë për zhvillimin e një rakete të re hipersonike të quajtur Oreshnik, e cila sipas Moskës, është testuar në një sulm kundër Ukrainës në nëntor të vitit të kaluar.
Në dhjetor, Putini ka thënë se sistemet Oreshnik do të dërgohen në Bjellorusi dhe do të mund t’i prezantohen forcës strategjike ruse për raketa në pjesën e dytë të vitit.
Disa pamje satelitore të 31 gushtit tregojnë një hapësirë të madhe punuese afër fshatit Paulauka që zgjerohet në mbi 2 kilometra katrorë, ekuivalente me rreth 280 fusha futbolli. Gjithçka është e lidhur me rrugë të reja.
Imazhet e 13 gushtit tregojnë numër të madh strukturash, përfshirë ato që duken se janë 13 depo municioni të rrethuara me mure mbrojtëse dhe tre hangarë të mëdhenj, secili rreth 100 metra i gjatë, si dhe themelet e shumë objekteve tjera.
Me ndërtimet në proces e sipër, ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë kanë thënë se është e vështirë të vlerësohet saktësisht se për çfarë objekti ushtarak bëhet fjalë.
Mirëpo, Konrad Muzyka, drejtor i kompanisë për analiza të sigurisë, Rochan Consulting, beson se strukturat fillestare sugjerojnë se bëhet fjalë për një objekt me qëllime strategjike.
“Imazhet tregojnë se të gjitha objektet që janë duke u ndërtuar, të gjitha janë të lidhura me rrugë. Është shumë e qartë se ekziston një lidhje e rëndësishme mes të gjithave”, ka thënë Muzyka për Radion Evropa e Lirë.
“Sipas vlerësimit tim, këto baza janë të lidhura me pajisje të nivelit strategjik, të cilat mund të barten në Bjellorusi. Qofshin raketat Oreshnik apo diçka tjetër, do ta shohim këtë pjesë, por definitivisht është diçka me rëndësi strategjike”, ka thënë Muzyka.
“Do të mund të jetë e armatosur me armë me kapacitet bërthamor, apo me pjesë bërthamore, sepse ata janë duke i shfrytëzuar objektet që veçse janë shfrytëzuar për të ruajtur armë të ngjashme edhe në kohën e Luftë së Ftohtë”, ka shtuar ai.
Imazhet satelitore të hapësirës që dikur ishte tokë bujqësore, shpërfaqin tetë hapësira që ngjasojnë me hangarë, derisa në afërsi shihet duke u ndërtuar një ndërtesë gati 150 metra e gjatë.
Në pjesën e dheut të grumbulluar shihen edhe shumë rrugë që po marrin formë.
Kjo hapësirë gjendet në pikën më të lartë të rajonit Sllutsk, që njihet si Bregu i Sinjalit, çka sipas vëzhguesve mund të jetë zonë shumë e përshtatshme për sisteme ajrore të mbrojtjes.
Marko Eklund, kryetar i pensionuar finlandez dhe zyrtar ushtarak i inteligjencës, i cili e ka analizuar për më shumë se 20 vjet ushtrinë ruse, dhe tani analizon imazhe satelitore, ka thënë për Eesti Ekspress se qendra duket sikurse po e merr formën e një baze strategjike të raketave.
“Bazat strategjike të raketave duken njëjtë. Nuk mund të them se çfarë do të mund të ishte tjetër”, ka thënë Eklund.
“Këtu duket një hapësirë e madhe dhe tri më të vogla. Ato duken si objekte magazinimi në zonën qendrore dhe më pas ka bunkerë. Nëse do të jetë bazë për raketat Oreshnik, atëherë do t’i plotësojë të gjitha kushtet”.
Muzyka e ka ngritur pyetjen nëse faturën e objektit ndërtimor është duke e paguar Bjellorusia apo Rusia, por beson që si Moska, ashtu edhe Minsku do ta konsiderojnë këtë qendër si “aset me rëndësi strategjike”.
Bjellorusia është aleatja e vetme ushtarake e Rusisë, pavarësisht se marrëdhëniet politike mes tyre janë shpesh të tensionuara. Ajo e ka mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë në mënyra të ndryshme, përfshirë mundësinë që ia ka dhënë Moskës për t’ia përdorur territorin për nisjen e luftës më 2022.
Muajin e kaluar, shefi bjellorus i mbrojtjes ka thënë se stërvitjet e përbashkëta ushtarake të këtij muaji do të përfshijnë edhe ushtrime për përdorim të armëve bërthamore dhe raketave Oreshnik, të cilat, sipas Rusisë, kanë kapacitet bërthamor.
Putin e ka përsëritur disa herë që armë bërthamore ruse do të dërgohen në territorin bjellorus, ndërsa Lukashenko ka thënë se raketat Oreshnik do të dërgohen në Bjellorusi në fund të këtij viti.
Në zonën ku po kryhen punime, në të kaluarën ka pasur arsenal bërthamor sovjetik.
Prej vitit 1959 deri më 1993, në atë zonë e ka pasur bazën garnizoni i Regjimentit të 306-të të Raketave Strategjike me bazë në Sllutsk.
Më 1960, në atë zonë është pozicionuar baza teknike dhe ajo për riparime, përgjegjëse për ofrimin e mbështetjes “bërthamore-teknike” për regjimentin.
Fillimisht, regjimenti ka qenë i pajisur me raketa balistike me rreze deri në 2.100 kilometra.
Më 1981, kanë arritur sistemet mobile me rreze deri në 5.000 kilometra. Më 1989, njësiti ka nisur të riarmatosohet me raketa Topol ICMB me rreze deri në 11.000 kilometra.
Bjellorusia i është bashkuar Traktatit për Mospërhapje të Armëve Bërthamore më 1993, duke u bërë shteti i parë që vullnetarisht e ka dorëzuar arsenalin bërthamor të trashëguar prej rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991.
Po atë vit, regjimenti i 306-të është tërhequr nga detyrat luftarake dhe është dërguar në Rusi, ku më vonë është çarmatosur.
Në shtator të vitit 1996, në atë zonë ka pasur ende depo municioni, mirëpo si përfundim nuk janë shfrytëzuar. Disa pjesë të ish-bazës janë braktisur duke lënë mbrapa silose raketash, bunkerë dhe hangarë.
Më vonë, më 2024, janë vërejtur lëvizje në atë zonë, duke nisur nga pastrimi i zonës prej minave të pashpërthyera dhe janë shkatërruar 2.800 municione në 2.5 kilometra katrorë.
Pastaj ka nisur dhe është përshpejtuar puna e ndërtimit të qendrës së re këtë vit. REL
(A2 Televizion)