“Blindohet” Danimarka, ushtarë e sisteme antidronë nga e gjithë Europa

Nga Rosalba Bejdo
29 Shtator 2025, 23:01 | Bota

Franca, Gjermania dhe Suedia thanë të hënën se do të dërgojnë personel ushtarak dhe sisteme antidronë në Danimarkë për të përforcuar sigurinë në samitetet që do të mbahen këtë javë në Kopenhagë, pas inkursioneve me dronë që detyruan Danimarkën të mbyllë një sërë aeroportesh.

Danimarka do të mirëpresë liderët e BE të mërkurën, ndjekur nga një samit më i madh të enjten, i 47 anëtarëve të Komunitetit Politik Europian, shkruan A2.

Kryeministri suedez tha se vendi i tij do të dërgojë sisteme ajrore antidronë dhe radarë. Po ashtu, Policia e Stokholmit do të mobilizojë një forcë të konsiderueshme në Kopenhagë, me pjesëmarrjen e Norvegjisë.

Franca bëri të ditur se do të dërgonte një helikopter ushtarak dhe një ekip prej 35 personash. Gjermania ndërkohë do të angazhojë 40 ushtarë në Kopenhagë për të ndihmuar në identifikimin dhe detektimin e dronëve.

Të dielën, Danimarka urdhëroi ndalim të fluturimeve të dronëve civilë pas inkursioneve të regjistruara pranë infrastrukturave ushtarake.

Në një konferencë pas takimit të ministrave të Jashtëm të Polonisë, Francës, Gjermanisë dhe Ukrainës, kryediplomati gjerman Johann Wadephul tha se asnjë vend nuk duhet të lihet vetëm në përballjen me luftën hibride të Rusisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos