Blinken, takim surprizë me Mahmud Abbas, premton mbrojtje për banorët e Gazës

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2023, 22:42 | Bota

Blinken, takim surprizë me Mahmud Abbas, premton mbrojtje për

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar një takim surprizë këtë të diel me udhëheqësin e autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, në vizitën e tij të papritur në Ramallah, në Bregun e pushtuar Perëndimor. Matthew Miller, zëdhënësi i DASH, tha se Sekretari Blinken bëri të qartë gjatë bisedimeve në Ramallah se palestinezët nuk duhet të zhvendosen me forcë.

Agjencia palestineze e lajmeve WAFA njoftoi se gjatë takimit, udhëheqësi i autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, kërkoi një armëpushim të menjëhershëm izraelit.

Të dielën, Kryeministri izraelit Benjamin Netannyahu tha se kërkesa për armëpushim nuk do të merret parasysh derisa të lirohen të gjithë personat e marrë peng nga Hamasi. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, riafirmoi angazhimin amerikan për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të rifilluar shërbimet thelbësore në Gazë, ndërsa lufta e Izraelit kundër Hamasit vazhdon.

“Sekretari Blinken dhe zoti Abbas diskutuan përpjekjet për të rikthyer qetësinë dhe stabilitetin në Bregun Perëndimor, përfshirë nevojën për të ndaluar dhunën ekstremiste kundër palestinezëve dhe për t'i mbajtur përgjegjës ata që sulmojnë palestinezët”, tha zoti Miller.

“Sekretari Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për avancimin e masave të barabarta të dinjitetit dhe sigurisë si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët. Sekretari Blinken shprehu gjithashtu angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të punuar drejt realizimit të aspiratave legjitime të palestinezëve për krijimin e një shteti palestinez”, shtoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Ndërkohë, Abbas dënoi bombardimet e Izraelit në Gazë, akuzoi Izraelin për gjenocid dhe i kërkoi Sekretarit Blinken që një gjë e tillë “të ndalet menjëherë”, thuhej më tej në njoftimin e agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA.

Një ditë më parë Sekretari Blinken e bëri të qartë që SHBA, megjithë trysninë e vendeve arabe, nuk përkrahë një armëpushim në luftën Izrael – Hamas. Uashingtoni mendon se një gjë e tillë do të ndihmonte vetëm grupin militant palestinez, të cilën perëndimi e konsideron organizatë terroriste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos