“Bllokadë dhe kërcënime”, Irani fajëson Trump për ngecjen e bisedimeve

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 07:21 | Bota

“Bllokadë dhe kërcënime”, Irani fajëson Trump

Zyrtarët iranianë kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara për ngërçin në negociata dhe mbylljen e vazhdueshme të Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se Teherani nuk do t'i nënshtrohet "bullizimit" nga Uashingtoni.

Kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, tha të mërkurën se nuk mund të ketë armëpushim të plotë midis dy vendeve, nëse bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane vazhdon.

Në komentin e tij të parë që kur presidenti Donald Trump njoftoi se do të zgjaste armëpushimin SHBA-Iran, Ghalibaf, një nga negociatorët kryesorë të Iranit, tha se Teherani nuk do të kapitullojë para kërkesave të Uashingtonit për shkak të rrethimit.

“Një armëpushim i plotë ka kuptim vetëm nëse nuk shkelet nga bllokada detare dhe marrja peng e ekonomisë botërore, dhe nëse ndalet luftënxitja sioniste në të gjitha frontet”, shkroi Ghalibaf në X.

“Rihapja e Ngushticës së Hormuzit është e pamundur me një shkelje kaq flagrante të armëpushimit”, shtoi ai, sipas të cilit SHBA-ja dhe Izraeli “nuk i arritën qëllimet e tyre përmes agresionit ushtarak dhe as nuk do t’i arrijnë përmes ngacmimit”.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian e përsëriti këtë qëndrim, duke theksuar se diplomacia, jo presioni, ishte e nevojshme për bisedimet e paqes.

“Republika Islamike e Iranit ka mirëpritur dialogun dhe marrëveshjen dhe vazhdon ta bëjë këtë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale, duke iu drejtuar SHBA-së dhe Izraelit.

Sipas tij Teherani dëshiron dialog dhe marrëveshje, por shkelja e angazhimeve, bllokada dhe kërcënimet janë pengesat kryesore për negociata të vërteta.

"Shkelja e angazhimeve, bllokada dhe kërcënimet janë pengesat kryesore për negociata të vërteta. Bota e sheh retorikën tuaj të pafundme hipokrite dhe kontradiktat midis pretendimeve dhe veprimeve."

Edhe pse të dy vendet kanë thënë se janë gati të kthehen në luftë, armëpushimi deri më tani duket se është mbajtur të mërkurën, ditën kur skadoi periudha fillestare dyjavore.

Zgjatja e armëpushimit erdhi vetëm një ditë më parë, pasi u bë e qartë se zyrtarët iranianë nuk do të merrnin pjesë në bisedimet e planifikuara në Pakistan në shenjë proteste kundër bllokadës amerikane .

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk ka caktuar asnjë afat për zgjatjen e armëpushimit ndaj Iranit , duke shtuar se do të jetë vendim i presidentit kur të përfundojë armëpushimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos