Një sulm me parashutë në një festival dhe protestë në Mianmar ka vrarë të paktën 24 persona dhe ka plagosur 47 të tjerë. Lajmi është bërë i ditur për BBC nga një zëdhënës i Qeverisë së unitetit Kombëtar në mërgim.
Rreth 100 persona ishin mbledhur në qytezën Chaung U të hënën në mbrëmje për festivalin Thadingyut, një festë kombëtare me rrënjë budiste, kur një parashutë me motor hodhi dy bomba mbi turmën, tha një zyrtar lokal nën Forcën e Mbrojtjes Popullore anti-junta, përcjell A2 CNN.
Mianmari ka qenë në luftë civile që kur ushtria e saj mori pushtetin në një grusht shteti në vitin 2021. OKB-ja vlerëson se konflikti ka vrarë më shumë se 5,000 civilë.
Zyrtari i Forcës së Mbrojtjes Popullore i tha BBC se gjatë tubimit të së hënës, ata morën informacion në lidhje me një sulm të mundshëm ajror dhe u përpoqën ta përfundonin shpejt protestën e tyre, por parashutistët arritën në vendngjarje më herët se sa prisnin.
"Ata mbërritën dhe e hodhën bombën brenda vetëm shtatë minutash. Kur ra bomba e parë, unë rashë në tokë, por më goditi pjesën e poshtme të gjurit. Kishte njerëz të vrarë pranë meje."
Sipas dëshmive vendase, shkatërrimi i shkaktuar nga bombat të hënën e bëri të vështirë identifikimin e trupave të pajetë.
"Fëmijët u bënë copë-copë", tha për AFP një grua tjetër që kishte ndihmuar në organizimin e eventit.
(A2 Televizion)