“Bomba, predha dhe civilë të vrarë”, Kondi zbërthen prapaskenat: SHBA do të përthithë palcën energjetike në Iran

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 21:56 | Bota

Sokol Kondi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se qëllimi i SHBA-së është “të përthithë palcën energjetike” të Iranit.

“Zhvillimet aktuale i shoh si një rënie të Shteteve të Bashkuara. Fakti që duan ta shpërshfaqin forcën me çdo kusht, Amerikën që shohim sot as ata iranianët nuk e duan, që po prisnin shpëtimin nga qielli. Shpëtimi erdhi në formë bombash, predhash dhe civilësh të vrarë. Po vriten më keq se ç’po vriteshin nga qeveria e tyre. Nëse ky është shpëtimi, atëherë më mirë nën kthetrat e vendit tënd, që të paktën është shteti jot, sesa nën thundrën e pushtuesit të huaj që dihet që nën pretekstin e çlirimit mbart orekse për nënshtrim, për ulje dhe për përthithje të palcës energjetike, atë që ka bërë kudo”, tha Kondi.

“E pamë dhe në Irak, e kemi parë edhe në Libi se çfarë ka qenë ai eksportimi i demokracisë. Domethënë një dështim total, qesharak, një mit. Siç u përdor miti i armëve kimike të shkatërrimit në masë të Saddam Hussein që doli një fiasko. Gjithashtu, edhe ajo retorika e Benjamin Netaniahut që ka që në 1996, që thotë se Irani është disa javë apo rastin më të keq muaj drejt pajisjes me bombë bërthamore. Edhe kjo ka dalë gjithashtu një fiasko e madhe. Kjo luftë nuk është e ngjashme me atë të mëparshmen, por duket se ka për qëllim më tepër sesa rrëzimin e regjimit, që u kuptua që është një pamundësi, më tepër sesa hapjen e Kanalit të Hormuzit, që gjithashtu duket një pamundësi absolute, ka për qëllim dobësimin e Iranit në një masë të paprecedent historike”, shtoi Kondi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos