Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur bombarduesit strategjikë B-52H Stratofortress në bazën ajrore të Morón, në Sevilje, në kuadër të misionit Bomber Task Force Europe (BTF). Ky dislokim është pjesë e një operacioni që synon trajnimin e forcave ajrore në skenarë të paqëndrueshëm në Evropë dhe demonstrimin e aftësisë amerikane për të projektuar forcë ajrore me rreze të gjatë veprimi.
Sipas deklaratës së gjeneralit amerikan Jason T. Hinds, zëvendëskomandant i USAFE-AFAFRICA, "Bomber Task Force Europe është një mesazh paqeje përmes fuqisë ajrore. Ky dislokim garanton që forcat tona të mbeten të qëndrueshme, dinamike dhe të gatshme të përgjigjen me shpejtësi ndaj sfidave të reja të sigurisë", shkruan A2 CNN.
Vendosja e këtyre bombarduesve ndodh në një moment kur tensionet me Rusinë janë përshkallëzuar. Çdo lëvizje ushtarake amerikane në Evropë përbën një mesazh politik dhe ushtarak drejtuar Moskës, duke nënvizuar praninë aktive të Uashingtonit në kontinentin evropian.
Operacioni BTF shërben gjithashtu për ushtrime të përbashkëta me vendet aleate dhe teston konceptin Agile Combat Employment (ACE), i cili përfshin përdorimin e bazave të vogla dhe të lëvizshme për të shmangur parashikueshmërinë dhe për të rritur fleksibilitetin operacional.
Baza e Morón zgjidhet për shkak të pozicionit strategjik, që mundëson veprim të shpejtë të NATO-s në Mesdhe, Afrikën Perëndimore dhe Evropën Qendrore, si dhe për kapacitetin e saj për të strehuar avionë të rëndë si B-52H. (A2 Televizion)