“Ai po shkakton vrasjet”, Ukraina hedh poshtë propozimin e Putinit për zonën tampon

Nga Erjon Dervishi
23 Maj 2025, 14:22 | Bota

Ukraina e kundërshton me forcë planin e udhëheqësit të Kremlinit, Vladimir Putin, për të krijuar një zonë tampon në kufi. Me anë të një reagimi në X, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha ka vënë në dukje se: “Këto kërkesa të reja agresive janë një refuzim i qartë i përpjekjeve për paqe dhe tregojnë se Putini është dhe mbetet arsyeja e vetme për vrasjet e vazhdueshme”. Po ashtu Ministri i Jashtëm ukrainas, Sybiha, deklaroi se Putinit duhej t’i bëhej më shumë presion për t’i dhënë fund kësaj lufte. Zëdhënësi i ministrisë, vuri në dukje se Putini mund të krijojë zonën tampon në territorin e tij.

Pas vizitës në rajonin e Kurskut, i cili është kontrolluar pjesërisht nga trupat ukrainase për muaj të tërë, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi krijimin e një zone tampon “përgjatë kufirit”. Vendimi për zonën e sigurisë është marrë, tha Putin në një takim qeveritar nëpërmjet një video. Ai fillimisht nuk tha se ku do të shtrihej saktësisht zona, sa e gjatë do të ishte ose sa thellë do të arrinte në Ukrainë. "Forcat tona të armatosura janë në proces të zgjidhjes së kësaj detyre, pikat e qitjes së armikut po shtypen në mënyrë aktive dhe puna është duke u zhvilluar," tha ai.

Putini shpalli rajonin e Kurskut të çliruar pas pushtimit të trupave ukrainase në gusht të vitit të kaluar. Në të kundërt, Ukraina e akuzoi Putinin si gënjshtar. Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka thënë vazhdimisht se trupat e tij ende mbajnë pozicione në rajonin e Kurskut dhe në rajonin fqinj të Belgorodit, shkruan A2 CNN.

Putini urdhëroi gjithashtu zhvillimin e menjëhershëm të një programi gjithëpërfshirës për të filluar rindërtimin e rajoneve kufitare të prekura nga luftimet. Përveç rajoneve Kursk dhe Belgorod, kjo përfshin edhe rajonin e Bryansk. Rajonet kufitare janë nën sulme pothuajse të përditshme nga pala ukrainase, e cila përdor kryesisht dronë.

Ndërkohë bëhet e ditur se sipas zyrtarëve rusë, aktualisht nuk ka plane që Presidenti Vladimir Putin të udhëtojë në Vatikan apo diku tjetër për bisedime mbi përfundimin e luftës kundër Ukrainës. Në vend të kësaj, ata u përqendruan në negociatat teknike që filluan javën e kaluar në Stamboll, sipas njerëzve të njohur me situatën. Kremlini pret që këto negociata të rifillojnë në Stamboll, tha një nga personat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos