
Kryeministri australian Anthony Albanese u largua nga rezidenca e tij zyrtare të martën në mbrëmje, pasi u bë një kërcënim me bombë ndaj tij nga kundërshtarë të një organizate fetare që është e ndaluar në Kinë. Kryeministri publikoi të mërkurën në rrjetet sociale një foto të qenit të tij, Toto, brenda rezidencës së tij në Canberra, duke falënderuar policinë australiane dhe duke shkruar: “Toto në gatishmëri, por gjithçka mirë”.
Ai tha se kërcënime të tilla nuk mund të merren “si të mirëqena”. “Mendoj se është një kujtesë për të përfituar çdo mundësi për t’u thënë njerëzve: ulni tensionin për hir të Zotit. Nuk mund t’i marrim këto gjëra si të mirëqena. Ulni tonet,” tha Albanese gjatë një aktiviteti në Melburn, përcjell A2 CNN.
Kërcënimet me bombë u bënë përpara shfaqjeve në Australi të Shen Yun, një grup i muzikës dhe vallëzimit klasik kinez që mbështetet nga lëvizja fetare Falun Gong. Falun Gong u shfaq në Kinë në mesin e viteve 1990, duke u popullarizuar përpara se të ndalohej dhe të shtypej brutalisht në territorin kinez për shkak të protestave kundër qeverisë.
Dy email-e, të shkruara në gjuhën kineze dhe të parë nga CNN, kërcënonin me dëmtim të kryeministrit australian nëse shfaqjet e ardhshme të Shen Yun do të zhvilloheshin dhe pretendonin se eksplozivë ishin vendosur në rezidencën e Albanese.
“U krye një kontroll i plotë i një objekti të mbrojtur dhe nuk u gjet asgjë e dyshimtë,” tha një zëdhënës i policisë. “Nuk ka kërcënim aktual për komunitetin ose sigurinë publike”. Ministrja e Financave Katy Gallagher tha për programin australian “Today” se ata që punonin në rezidencën e kryeministrit “duhej të largoheshin për disa orë derisa policia e kontrolloi dhe siguroi që ishte e sigurt për t’u rikthyer”.
Email-et kërcënuese ndaj kryeministrit australian janë të ngjashme me të tjera që kanë marrë organizatorët lokalë të shfaqjeve Shen Yun në disa vende gjatë dy javëve të fundit, përfshirë Korenë e Jugut, Danimarkën dhe Austrinë. (A2 Televizion)