“Trump do të vjedhë zgjedhjet”, demokratët akuzojnë presidentin amerikan se gënjeu në fjalim

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2026, 12:04 | Bota

Demokratët reaguan me kritika të forta ndaj fjalimit të Presidentit Donald Trump për gjendjen e kombit. Një senator dhe një guvernatore e akuzuan se po pasuron veten, varfëron amerikanët dhe po mashtron qytetarët vetëm për të vjedhur zgjedhjet e nëntorit.

“Dëgjuam Donald Trumpin të bëjë atë që di më mirë: të gënjejë. Ai gënjen për ekonominë, gënjen për të kaluarën e tij, për ligjet e imigracionit. Në një mënyrë të dhunshme dhe të pakontrollueshme. Dhe po përpiqet t'ju mashtrojë për planet e tij për të manipuluar zgjedhjet e këtij nëntori. E vërteta është se gjendja e kombit tonë nuk ndihet e fortë për të gjithë, jo kur kostot e qirasë, ushqimit dhe energjisë elektrike, që vazhdojnë të rriten. Ne shohim agjentë të emigracionit që përdorin forcë të tepruar, duke hyrë në shtëpi pa urdhër dhe duke qëlluar makina me familje brenda, duke i vendosur njerëzit në qendra paraburgimi pa qasje të mjaftueshme te mjekët, ushqim të shëndetshëm ose ujë të pijshëm të pastër”, tha Senatori Alex Padilla.

“Donald Trump po përpiqet të vjedhë zgjedhjet e mesit të mandatit. Ai ka nënshkruar urdhra ekzekutivë që synojnë të parandalojnë miliona votues të kualifikuar nga ushtrimi i të drejtës së tyre për të votuar dhe ka sugjeruar përdorimin e agjentëve të emigracionit në qendrat e votimit për të frikësuar njerëzit. Këto janë taktika që i kemi parë në vende të tjera të qeverisura nga diktatorë të korruptuar”.

“Ai po pasuron veten, familjen, miqtë e tij. Shkalla e korrupsionit është e paprecedentë. Ekziston mbulimi i dosjeve të Epstein, mashtrimet me kriptovalutat, shoqërimi me princa të huaj për aeroplanë dhe miliarderë për salla vallëzimi, vendosja e emrit dhe fytyrës së tij në ndërtesa në të gjithë kryeqytetin e vendit tonë. Kjo nuk është ajo që themeluesit tanë e kishin parashikuar, aspak”, tha Guvernatorja e Virxhinias, Abigail Spanberger. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos