Të armatosur me sendet e domosdoshme, syze, kapele e telefona, lumi i turistëve që ka pushtuar ishullin e Santorinit nga i gjithë globi. Të gjithë i mirëpresin turistët me buzëqeshje, me varkat gati, anijet krocere, shezlonget në plazhe apo edhe gomerët për të bërë shëtitje e për të mos vuajtur tatëpjetat e ishullit magjik. Dhe kur ngjitesh në majë, pamja është thjesht mahnitëse.
Disa e planifikojnë të gjithë ditën por orarin e pasdites, mbi ishullin e mbushur me shtëpi në ngjyrë bardhë e blu, rrethuar nga kishëza të vogla, e rezervojnë për të shijuar perëndimin e famshëm të diellit, për të cilin ja vlen të presësh edhe për orë të tëra.
Turistët duket se nuk e kanë problem të ecin gjatë të gjithë ditës, shijojnë gjithçka, ccdo cep të ishullit, ku kudo gjejnë tabelën: “respekt, janë pushimet tuaja por kjo është shtëpia jonë”. Turizmi masiv, gjithsesi, duket se po shndërrohet në një problem jetik për vetë banorët e ishullit, 20 mijë në total. Janë me mijëra ato që çdo ditë i sheh në rrugicat e ngushta të ishullit idilik, me plazhe kristal e fshatin e zhurmshëm.
Vitet e fundit, numri i vizitorëve në ishull, është rritur frikshëm, duke u shndërruar në një nga shembujt se pse turizmi mund të japë impakt pozitiv në jetën e ishullit apo në këtë rast, edhe negative, sepse banorët nuk po durojnë më. Autoritetet në ishull, janë bashkuar me operatorët turistikë, në kërkesën e thirrjen, për të mos pritur më kaq shumë vizitorë.
Rritja e numrit të tyre, 3.4 milionë vetëm vitin e shkuar sipas të dhënave të bashkisë së qytetit, ka rritur presionin, për më shumë infrastrukturë mikëpritëse, sepse banorët po rrezikojnë të mbeten pa një dhomë për vete, madje kanë nisur të flenë vetë nëpër markete e biznese, për të liruar dhomat për turistët.
Tani autoritetet lokale i kërkojnë qeverisë së Athinës të mos lejojë më, rritjen e numrit të shtretërve në ishull si dhe të vendosë një numër tavan për vizitorët ditorë, që mbërrijnë në ishull nga anijet krocera, nga rreth 17 mijë në ditë aktualisht, në të paktën 8 mijë. Edhe drejtuesit e bizneseve në ishull, që janë përfituesit e parë nga turistët, janë të shqetësuar. Georgios Damigos, që drejton një hotel të trashëguar nga prindërit e tij që në vitin 1980, thotë se numri kaq i lartë i turistëve po shndërrohet në problem ccdo ditë e më shumë, madje turistët po krijojnë një monstër, nga Santorini i tyre.
Turizmi në Santorini ka eklipsuar pjesën tjetër të Greqisë, ndonëse asnjë qytet bregdetar grek nuk vuan. Të ardhurat nga turizmi kombëtar janë rritur me 16% në 5 muajt e parë të këtij, sipas të dhënave zyrtare ndërsa pritshmëritë për këtë vit janë për 33 milionë të huaj. Për disa në Santorini, më shumë vizitorë, janë lajm i mirë.
Zv/presidenti i ishullit, Alexandros Pelekanos tha se qeveria duhet të përpiqet të krijojë një infrastrukturë më të mirë. Në perëndim, turistët dynden në kështjellën e OIA, atje ku gjejnë një cep për të shijuar momentet magjike, çdo rrugë mbushet në tarraca e ballkone, kamerat janë gati, edhe një gotë në dorë, për të shijuar edhe atë grimcë dielli që shuhet dalëngadalë në horizont. (A2 Televizion)