Bordi i Paqes apo Bordi i Trump? Organizmi i ri që ndan botën dhe sfidon OKB-në

Nga Rosalba Bejdo
26 Janar 2026, 22:28 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar dhjetëra liderë botërorë t’i bashkohen nismës së tij “Bordi i Paqes”, që synon zgjidhjen e konflikteve globale, por diplomatët thonë se kjo mund të dëmtojë punën e Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa disa aleatë tradicionalë të SHBA-së janë përgjigjur me kujdes, madje në disa raste e kanë refuzuar ofertën e Trump të tjerë , përfshirë vende që prej kohësh kanë pasur marrëdhënie të tensionuara me Uashingtonin, si Bjellorusia , e kanë pranuar ftesën.

“Mendoj se është interesante që mungojnë shumë vende europiane. Dhe besoj se kjo vjen, së pari, nga mungesa e qartësisë, si dhe nga fakti që dikush si Putini , për të cilin ekziston një urdhër-arresti dhe është i paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare , ftohet të jetë pjesë e Bordit të Paqes. Kjo, për ata që mbështesin Ukrainën, jo vetëm që nuk ka kuptim, por tingëllon kundër logjikës dhe ndoshta edhe ofenduese. Nëse do një bord paqeje, nuk mund të ftosh njerëz të tillë. Kjo përfshin, meqë ra fjala, edhe Netanyahun, për të cilin gjithashtu ka një urdhër-arresti nga GJPN”, shprehet Yossi Mekelberg, Chatham House.

Trump e propozoi për herë të parë Bordin e Paqes shtatorin e kaluar, kur shpalli planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Më vonë ai e bëri të qartë se mandati i bordit do të zgjerohej përtej Gazës, për t’u marrë edhe me konflikte të tjera në botë.

Presidenti amerikan do të jetë kryetari i parë i bordit dhe ai do të ketë për detyrë promovimin e paqes në mbarë botën dhe punën për zgjidhjen e konflikteve, sipas një kopjeje të draft-statutit të parë nga Reuters.

Sipas statutit, shtetet anëtare do të kenë mandate trevjeçare, përveç nëse paguajnë nga 1 miliard dollarë secili për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësi të përhershme.

“Nuk besoj se mund t’i bashkohesh ndonjë nisme që Trump dëshiron të krijojë pa treguar edhe pak para. Sepse kështu thotë Trump. E dimë në çfarë bote jetojmë. Por çfarë dimë se çfarë do të ndodhë me këtë 1 miliard dollarë? Për çfarë do të përdoret?”

Shtëpia e Bardhë ka emëruar si pjesë të Bordit Ekzekutiv themelues Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të dërguarin special të Trump-it, Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe dhëndrin e Trump-it, Jared Kushner.

Po cilat vende kanë pranuar deri më tani?

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se rreth 35 liderë botërorë kanë rënë dakord t’i bashkohen Bordit të Paqes, nga afro 50 ftesa të dërguara. Mes tyre janë aleatë të Lindjes së Mesme si Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Jordania, Katari dhe Egjipti. Anëtarët e NATO-s, Turqia dhe Hungaria – liderët nacionalistë të të cilëve kanë kultivuar marrëdhënie të mira personale me Trump-in – kanë rënë gjithashtu dakord të marrin pjesë, ashtu si Maroku, Pakistani, Indonezia, Shqipëria, Kosova, Uzbekistani, Kazakistani, Paraguai dhe Vietnami.

Gjithashtu kanë pranuar Armenia dhe Azerbajxhani, të cilët arritën një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja gushtin e kaluar, pas një takimi me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë. Më polemik është pranimi nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, i izoluar prej kohësh nga Perëndimi për shkak të situatës së dobët të të drejtave të njeriut dhe mbështetjes për luftën e Rusisë në Ukrainë. Ftesa e tij vjen në një kohë afrimi më të gjerë mes Uashingtonit dhe Minskut.

Rusia nuk ka konfirmuar ende nëse do t’i bashkohet Bordit të Paqes. Po ashtu as Kina, e cila ka qenë shpesh në përplasje me Trump-in, por së fundmi ka arritur një armëpushim të brishtë tregtar me SHBA-në. Si Rusia, ashtu edhe Kina janë anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndaj ka gjasa të tregohen të kujdesshme ndaj nismave që mund të duken si dobësim i rolit të tyre në OKB. Trump, i cili shpesh e ka kritikuar OKB-në si joefektive, minimizoi shqetësimet se bordi i tij mund ta zëvendësojë atë.

 “Do të jetë një plan i shkëlqyer dhe pikërisht aty lindi ideja e Bordit të Paqes. Mendoj se mund të zgjerohemi edhe në gjëra të tjera sapo të kemi sukses me Gazën. Do të jemi shumë të suksesshëm në Gaza. Do të jetë diçka e mrekullueshme për t’u parë dhe pastaj mund të bëjmë edhe gjëra të tjera — shumë gjëra të tjera. Sapo ky bord të formohet plotësisht, mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam dhe do ta bëjmë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, e dini? Gjithmonë kam thënë që OKB-ja ka potencial të jashtëzakonshëm, por nuk e ka shfrytëzuar atë”, tha Trump.

 “Nuk mendoj se Trump ka shumë respekt për OKB-në. Apo, në përgjithësi, për normat dhe rregullat e krijuara pas vitit 1945, sepse në çdo hap ai synon t’i anashkalojë dhe të krijojë një alternativë që diktohet prej tij”, tha Yossi Mekelberg – Chatham House.

Nisma vjen në një kohë tensioni në rritje transatlantik për çështje si Groenlanda dhe tarifat dhe ka marrë përgjigje të kujdesshme nga disa aleatë të afërt të SHBA-së, të cilët shpesh ndihen në siklet me qasjen e ashpër, të njëanshme dhe “America First” të Trump-it.

Norvegjia dhe Suedia e kanë refuzuar ftesën. Ministri italian i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, tha se anëtarësimi duket problematik, ndërsa media italiane raportoi se pjesëmarrja në një grup të drejtuar nga lideri i një vendi të vetëm do të binte ndesh me Kushtetutën e Italisë. Franca gjithashtu synon ta refuzojë ftesën, sipas një burimi pranë presidentit Emmanuel Macron. Si reagim, Trump kërcënoi me tarifa 200% për verërat dhe shampanjat franceze nëse Parisi nuk bashkohet.

Kanadaja tha se ka rënë dakord “në parim”, por detajet janë ende në diskutim. Megjithatë, pas fjalimit të fortë të kryeministrit Mark Carney në Forumin e Davosit, ku sulmoi hegjemoninë e SHBA-së, Trump e tërhoqi ftesën për Kanadanë. Aleatë të tjerë të rëndësishëm si Britania, Gjermania dhe Japonia nuk kanë mbajtur ende qëndrim publik të qartë.

Ukraina ka thënë se diplomatët e saj po e shqyrtojnë ftesën, por presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se e ka të vështirë të imagjinojë të jetë në një bord me Rusinë pas katër vitesh lufte. Edhe Papa Leoni, papa i parë amerikan dhe kritik i disa politikave të Trump-it, është ftuar dhe po e shqyrton propozimin, sipas Vatikanit.

 “Nëse ky Bord Paqeje do të konkurrojë me Kombet e Bashkuara, a bëhet fjalë për anashkalimin e normave të krijuara pas vitit 1945, të shprehura në Kartën e OKB-së, në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në Konventat e Gjenevës? Unë, për vete, nuk jam i befasuar që vendet që besojnë në një rend botëror të bazuar në norma dhe rregulla janë shumë hezituese për t’iu bashkuar një trupi të tillë.”

 “Bordi i Paqes nuk ka status ligjor. Mendoni pak, është si G7 apo G20. I vetmi pushtet që do të ketë është ai që anëtarët e tij janë të gatshëm ta ushtrojnë. Nuk bazohet në të drejtën ndërkombëtare. Nuk ka një statut si Karta e OKB-së. Pra, është diçka që thjesht është shpikur, pa negociata — vetëm sepse Shtetet e Bashkuara vendosën se duan ta krijojnë.”

Çfarë pushteti do të ketë bordi?

Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor i dha mandat Bordit të Paqes, por vetëm deri në vitin 2027 dhe vetëm për Gazën. Rusia dhe Kina abstenuan, duke u ankuar se rezoluta e hartuar nga SHBA-ja nuk i jepte OKB-së rol të qartë në të ardhmen e Gazës.

Rezoluta përshëndeti krijimin e Bordit si një administratë tranzitore që do të vendosë kornizën dhe do të koordinojë financimin për rindërtimin e Gazës sipas planit të paqes të Trump-it, derisa Autoriteti Palestinez të reformohet në mënyrë të kënaqshme. Bordi u autorizua gjithashtu të dislokojë një Forcë të Përkohshme Ndërkombëtare Stabilizimi në Gaza dhe duhet t’i raportojë Këshillit të Sigurimit çdo gjashtë muaj.

Përtej Gazës, mbetet e paqartë se çfarë autoriteti ligjor apo mjetesh zbatimi do të ketë Bordi i Paqes dhe si do të bashkëpunojë me OKB-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Statuti i bordit parashikon se kryetari i tij, Trump, do të ketë pushtet të gjerë ekzekutiv, përfshirë të drejtën e vetos dhe largimit të anëtarëve, brenda disa kufizimeve. Sipas statutit, Bordi do të kryejë “funksione ndërtimi të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos