NATO është më e bashkuar dhe përgatitur se kurrë për të ruajtur paqen dhe për të parandaluar agresionin rreth botës. Para veteranëve të luftës dhe udhëheqësve të tjerë botërorë të mbledhur në Normandi me rastin e 80-vjetorit të së ashtquajturës D-Day, presidenti amerikan Joe Biden, e shfrytëzoi rastin për të rikonfirmuar unitetin e forcave aleate.
Teksa hoqi paralele mes luftës se aleatëve kundër Gjermanisë naziste dhe asaj që po zhvillohet kundër Rusisë, ai tha se nuk do të gjunjëzoheshin përballë diktatorëve.
“Sot, NATO është më i bashkuar dhe më i përgatitur se kurrë për të ruajtur paqen, për të frenuar agresionin dhe për të mbrojtur lirinë rreth botës. Izolimi nuk ishte përgjigja atëherë dhe nuk do të jetë tani. Beteja mes diktaturës dhe lirisë është pa mbarim. T’i dorëzohemi bullizuesëve dhe diktatorëve është thjesht e paimagjinueshme”, tha Biden.
Biden nderoi rreth 200 veteranët e luftës së dytë botërore, në atë që mendohet të jetë përvjetori i fundit i rëndësishëm që zhvillohet në prani të tyre, i ditës kur bota përkujton zbarkimin e rreth 150 mijë trupave aleate në Normandi nga ajri dhe toka, për të çliruar Francën nga forcat naziste. Presidenti Emanuel Macron, sakaq, i bëri homazh ushtarëve amerikanë që zbarkuan në brigjet franceze 80 vite më pare.
“Ju latë gjithçka. Kaluat oqeanin dhe zbarkuat në brigjet e francëz8 dekada më parë . Ju rrezikuat gjithçka për pavarësinë tonë. Kjo nuk do të harrohet”, tha Macron.
I ftuar në event, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski kërkoi që uniteti të triumfojë, ashtu siç ndodhi kur forcat aleate u bashkuan për të mbrojtur liritë e Europës. I pranishëm në ceremoninë përkujtimore ishte edhe mbreti Charles dhe bashkëshortja e tij Kamila, e po ashtu kryeministri Britanik Rishi Sunak. Macron dhe Biden të shoqëruar nga gratë e tyre, zhvilluan një vizitë te varrezat amerikane të Colleville-sur-Mer, ku më herët ishte shfaqur edhe një film i shkurtër që tregoi heroizmin e zbarkimit në Normandi. U lexuan gjithashtu letra prekëse të veteranëve, me të mbijetuarit që u duartrokitën dhe dekoruan me legjionin e nderit nga Macron. Mes publikut u panë edhe aktori Tom Hanks dhe regjisori Stiven Spilberg. Rreth 4400 ushtarë vdiqën në 6 qershor të 1944, gjatë zbarkimit në Normandi. (A2 Televizion)