Bota në konflikte, Greqia mblindon sistemin e mbrojtjes ajrore kundër raketave dhe dronëve

Nga A2 CNN
16 Mars 2026, 17:46 | Bota

Bota në konflikte, Greqia mblindon sistemin e mbrojtjes ajrore kundër

Greqia ka miratuar blerjen e një sistemi të ri shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore dhe kundër dronëve, si pjesë e një projekti të madh modernizimi të ushtrisë me vlerë rreth 4 miliardë euro.

Vendimi u mor nga një komision parlamentar, ndërsa projekti është pjesë e planit afatgjatë për forcimin e kapaciteteve ushtarake deri në vitin 2036. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, një pjesë e madhe e sistemit raketor pritet të furnizohet nga Izraeli.

Sistemi i ri i mbrojtjes, i quajtur Achilles Shield, pritet të kushtojë rreth 3 miliardë euro dhe synon të krijojë një “mburojë” kundër raketave dhe dronëve.

Në të njëjtën mbledhje me dyer të mbyllura, komisioni miratoi edhe modernizimin e 38 avionëve luftarakë F-16 Fighting Falcon të versionit Block 50, të cilët datojnë nga vitet 1990. Avionët do të përditësohen në variantin më të avancuar F-16V Viper, me një kosto të vlerësuar rreth 1 miliard euro.

Aktualisht, Greqia ka rreth 150 avionë F-16 në flotën e saj dhe tashmë ka modernizuar rreth 40 prej tyre.

Qeveria greke ka bërë të ditur se synon të investojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për modernizimin e forcave të armatosura. Ky plan vjen pas krizës së borxhit të viteve 2009-2018 dhe në përpjekje për të forcuar kapacitetet ushtarake në rajon, duke mbajtur ritmin me rivalin historik Turqia.

Projekti pritet të marrë edhe miratimin përfundimtar nga KYSEA, organi më i lartë vendimmarrës për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos