Britania dhe aleatët akuzojnë Kremlinin: Navalny u helmua me toksinë të rrallë bretkose

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2026, 14:28 | Bota

Britania dhe aleatët akuzojnë Kremlinin: Navalny u helmua me

Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, është vrarë me një helm të zhvilluar nga një toksinë e nxjerrë nga bretkosa, ka deklaruar Ministria e Jashtme britanike.

Dy vite pas vdekjes së Navalnyt në një koloni penale në Siberi, Britania dhe aleatët e saj kanë drejtuar gishtin nga Kremlini, pas analizave të mostrave materiale të gjetura në trupin e tij.

Sipas Foreign Office, nuk ka asnjë shpjegim të pafajshëm për praninë e toksinës së quajtur epibatidine në mostrat e marra nga trupi i Navalnyt. Duke folur nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se “vetëm qeveria ruse kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse kundër Alexei Navalnyt gjatë burgimit të tij në Rusi.”

Cooper u takua gjatë konferencës edhe me bashkëshorten e Navalnyt, Yulia Navalnaya. Ajo theksoi se Rusia e shihte Navalnyn si një kërcënim dhe se përdorimi i këtij lloji helmimi tregon frikën e thellë të shtetit rus ndaj opozitës politike.

Britanisë i janë bashkuar në akuzat ndaj Rusisë edhe Suedia, Franca, Holanda dhe Gjermania. Ministria e Jashtme britanike bëri të ditur se Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË) për shkeljen e pretenduar nga Rusia të Konventës për Armët Kimike.

Navalny, një aktivist kundër korrupsionit dhe figura më e zëshme e opozitës në Rusi, ndërroi jetë më 16 shkurt 2024 në moshën 47-vjeçare. Në vitin 2020 ai ishte helmuar me agjentin nervor Novichok, u trajtua në Gjermani dhe u arrestua menjëherë pas kthimit në Rusi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos