Që në fillim të mandatit të tij të ri, Trump e bëri të qartë se si e sheh Bashkimin Evropian.
“Bashkimi Evropian u krijua për t’ia futur Shteteve të Bashkuara… dhe kanë bërë një punë të mirë për këtë. Por tani unë jam president”, shprehej Trump.
Deklaratë e drejtpërdrejtë, pa diplomaci. Një sulm frontal ndaj Bashkimit Evropian, të cilin ai e akuzon për trajtim të padrejtë tregtar. Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Trump përsëriti akuzat për deficit tregtar dhe taksa të padrejta.
Donald Trump: “Nga këndvështrimi i Amerikës, BE-ja na trajton shumë, shumë padrejtësisht… Ata kanë një taksë të lartë TVSH-je… Qindra miliarda dollarë deficit me BE-në.”
Por kritikat nuk ndalen vetëm te tregtia. Në Bruksel, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kërkoi që Evropa të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e vet.
Pete Hegseth: “Udhëheqësit e shteteve aleate evropiane duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e kontinentit.”
Duke cituar edhe presidentin Eisenhower, Hegseth paralajmëroi se Amerika nuk do të jetë më “xhaxhai budalla”.
Pete Hegseth: “Presidenti Trump nuk do të lejojë askënd ta kthejë Uncle Sam-in në ‘Uncle Sucker’.”
Mesazhi është i qartë: NATO nuk është më një çek i bardhë sigurie. Në Davos 2026, Trump e çoi më tej retorikën.
Donald Trump: “Bashkimi Evropian është, në shumë mënyra, më i keq se Kina.”
Një krahasim tronditës për aleatët evropianë. Ai kritikoi Evropën për emigracionin, politikat mjedisore dhe madje identitetin e saj.
Donald Trump: “Disa vende në Evropë as nuk njihen më… dhe kjo jo në kuptim pozitiv.”
Në të njëjtin fjalim, ai preku edhe çështjen e Groenlandës.
Donald Trump: “Nuk kam nevojë të përdor forcë… Gjithçka që kërkojnë Shtetet e Bashkuara është një vend që quhet Grenlanda.”
Një referencë ndaj territorit autonom të Danimarkës – anëtare e NATO-s – që ka tensionuar raportet me Kopenhagenin. Madje, Trump hodhi dyshime edhe mbi solidaritetin e Aleancës.
Donald Trump: “Nuk e di se çfarë do të ishin pa ne.”
Në këtë klimë, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick foli për sovranitetin ekonomik dhe rikthimin e industrisë në SHBA.
Howard Lutnick: “Nuk duhet ta zhvendosni jashtë vendit gjithë bazën tuaj industriale… Nuk duhet të jeni të varur nga asnjë komb tjetër.”
Ndërsa Sekretari i Thesarit Scott Bessent e quajti Evropën:
Scott Bessent: “Europa është një grumbull rregullash… shtresë pas shtrese rregullash që pengojnë rritjen ekonomike.”
Në Romë, Zëvendëspresidenti JD Vance u përpoq të zbusë tensionet.
JD Vance: “Europa është një aleate e rëndësishme… kemi disa mosmarrëveshje, ashtu siç ndodh ndonjëherë me miqtë.”
Por vitin e kaluar, po ai në Mynih akuzoi liderët evropianë për censurë dhe dështim në kontrollin e emigracionit, komente që nisën serinë e përplasjeve publike.
Konferenca e Sigurisë në Mynih këtë vit zhvillohet nën hijen e asaj që organizatorët e kanë quajtur “krizë besimi”. Delegacioni amerikan do të drejtohet nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ndërsa mbi 50 anëtarë të Kongresit pritet të marrin pjesë. Nga ana tjetër, 15 kryeministra dhe krerë shtetesh të BE-së do të jenë të pranishëm.
Në një kohë kur Evropa përballet me luftën në Ukrainë, pasigurinë energjetike dhe sfidat e brendshme politike, Amerika e Trump kërkon rinegocim – jo vetëm të marrëveshjeve tregtare, por të vetë kuptimit të aleancës.
Nga Groenlanda te NATO, nga deficiti tregtar te emigracioni, mesazhi i Uashingtonit është i qartë: partneriteti vazhdon, por kushtet kanë ndryshuar.
(A2 Televizion)