Ish-shefi i Ushtrisë Britanike, Gjeneral Sir Patrick Sanders, ka paralajmëruar se Britania duhet të përgatitet seriozisht për një përballje të mundshme ushtarake me Rusinë deri në vitin 2030. Në një intervistë për The Telegraph, ai deklaroi se ndërtimi i strehimoreve nëntokësore për civilët dhe forcimi i mbrojtjes ajrore duhet të jenë përparësi kombëtare.
“Nëse Rusia ndalon luftimet në Ukrainë, atëherë brenda disa muajsh ajo do të arrijë në një pikë ku do të ketë kapacitetin për të kryer një sulm të kufizuar ndaj një vendi anëtar të NATO-s, të cilin ne do të jemi të detyruar ta mbështesim, dhe kjo ndodh deri në vitin 2030”, tha Gjeneral.
Sanders, i cili udhëhoqi Ushtrinë Britanike nga viti 2022 deri në qershorin e kaluar, theksoi se kërcënimi nga Rusia është më i madh se kurrë dhe Britania nuk është e përgatitur për të përballuar pasojat e një sulmi të mundshëm, përcjell A2 CNN. Ai vlerësoi si shembull Finlandën, e cila ka strehimore për 4,5 milionë qytetarë dhe mund të vazhdojë të funksionojë edhe nën bombardime.
Sipas tij, ushtria aktuale britanike është shumë e vogël për të mbijetuar më shumë se disa muaj në një konflikt të përmasave të mëdha. Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për mungesën e investimeve në mbrojtje dhe përpjekjet për t’i “ripaketuar” fondet ekzistuese në vend që të rrisë realisht kapacitetet mbrojtëse.
Sanders u shpreh se Rusia mund të synojë vende që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, si shtetet baltike, ku Britania ka prezencë ushtarake. Ai theksoi se një sulm ndaj një prej këtyre vendeve do të aktivizonte automatikisht Nenin 5 të NATO-s dhe Britania do të ishte e përfshirë që ditën e parë.
Ndërsa nënvizoi rrezikun që vjen edhe nga Irani dhe Lindja e Mesme, Gjenerali Sanders u shpreh se kërcënimi më i madh për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar mbetet Rusia. (A2 Televizion)