
Interi dhe Milani kanë prezantuar projektin e stadiumit të ri që do të zëvendësojë impiantin legjendar “San Siro”, ku dy klubet gjigante të futbollit italian kanë zhvilluar ndeshjet e tyre për dekada me radhë.
Stadiumi i ri do të mbajë emrin “Generali Stadium”, sipas kompanisë më të madhe të sigurimeve në Itali, e cila do të jetë sponsorizuese e impiantit, shkruan A2 CNN. Ai do të ketë një kapacitet prej 71 500 vendesh, ndërsa investimi i përbashkët i dy klubeve parashikohet të arrijë në 1,2 miliardë euro.
Projekti u prezantua të enjten në një aktivitet gala të organizuar në kështjellën “Castello Sforzesco” në Milano. Sipas planit, punimet për ndërtimin e stadiumit do të nisin në vitin 2028, në territorin ku ndodhet aktualisht “San Siro”. Impianti i ri pritet të vihet në funksion për sezonin 2031-2032.
Megjithatë, projekti nuk është pritur pozitivisht nga të gjithë tifozët. Një grup mbështetësish të Interit protestuan jashtë aktivitetit, duke shpalosur një banderolë me mesazhin: “Nuk do të mund t'i shuani kurrë dritat e San Siros”. Ata brohoritën gjithashtu kundër shembjes së stadiumit historik.
Arkitekti Norman Foster, i cili ka bashkëpunuar në projekt, shpjegoi se stadiumi do të ketë një strukturë të ulët në pjesën qendrore, ndërsa do të ngrihet në të dyja anët pas portave. Një prej veçorive kryesore do të jetë vendosja e tribunave shumë pranë fushës, me synimin për të krijuar një atmosferë më intensive për tifozët.
Përveç ndeshjeve të futbollit, impianti i ri do të jetë i përshtatshëm edhe për ndeshje të NFL-së, rugby dhe koncerte muzikore.
Interi dhe Milani kanë paguar 197 milionë euro për blerjen e stadiumit aktual “San Siro” dhe hapësirave të parkimit përreth tij. Ndërsa ndërtimi i impiantit të ri po i afrohet përfundimit, stadiumi ekzistues do të shembet në pjesën më të madhe.
I njohur edhe si “Stadio Giuseppe Meazza”, “San Siro” u inaugurua në vitin 1926 dhe është stadiumi më i madh në Itali. Pavarësisht historisë së tij të pasur dhe statusit si një prej impianteve më ikonike të futbollit europian, stadiumi ka nevojë për modernizim të thellë. (A2 Televizion)