Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, është takuar me Donald Trump në rezidencën e ish-presidentit amerikan në Mar-a-Lago të hënën në mbrëmje. Lajmin e konfirmon CNN, përmes dy burimeve që kanë dijeni për vizitën.
Takimi në Florida ndodhi para nisjes së vizitës zyrtare të Cameron në Uashington, ku është parashikuar takim me homologun amerikan, Antony Blinken. Një zëdhënës i qeverisë britanike e quajti “procedurë standarde” takimin me opozitën e një shteti partner.
“Bisedimet do të fokusohen në disa çështje që janë prioritet për dy shtetet, përfshi sigurimin e mbështetjes për Ukrainën dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”, tha zëdhënësi.
Sipas CNN, Cameron do të kërkojë mbështetje edhe nga Trump për miratimin në Kongres të paketës së ndihmës për Ukrainën, të konsideruar jetike për të ardhmen e shtetit që ndodhet në luftë me Rusinë prej më shumë se dy vitesh.
Cameron dhe Trump nuk janë takuar kurrë teksa mbanin poste zyrtare. Ish-kryeministri britanik qëndroi në detyrë në vitet 2010-2016, por dha dorëheqjen pak para se Trump të niste mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. E nëse ai rikthehet në Uashington në janar 2025, duket se do të jetë Cameron që do të largohet nga posti, pasi Konservatorët kanë humbur goxha popullaritet në krahasim me Laburistët në Britani para zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen në fund të këtij viti.
Ditët e fundit, si Trump, ashtu edhe Cameron, e kanë kritikuar Izraelin për mënyrën e veprimit në Gaza. Cameron shkroi në një “op-ed” te “Sunday Times” dhe mbështetja për Izraelin nuk ishte pa kushte, duke kërkuar që zbatoheshin ligjet humanitare në Gaza. Ndërsa Trump është shprehur se Izraeli po humbet “luftën e marrëdhënieve me publikun”, për shkak të pamjeve që vijnë nga Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, që drejtohet nga Hamasi, prej 7 tetorit atje kanë humbur jetën më shumë se 33 mijë persona. (A2 Televizion)