
Miratimi i një ligji të ri në Izrael, që parashikon dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar për sulme vdekjeprurëse, ka shkaktuar reagime të forta dhe shqetësim ndërkombëtar.
Ligji, i cili nuk zbatohet për qytetarët hebrenj të Izraelit, është cilësuar nga organizatat e të drejtave të njeriut si diskriminues dhe pjesë e një sistemi të pabarabartë drejtësie.
Sipas tij, palestinezët që shpallen fajtorë për vrasjen e një izraeliti në Bregun Perëndimor mund të dënohen automatikisht me vdekje nga gjykatat ushtarake. Ndërkohë, izraelitët gjykohen në gjykata civile, ku ekziston mundësia e dënimeve më të lehta.
Organizata si Amnesty International dhe Human Rights Watch e kanë kritikuar ligjin, duke theksuar se ai forcon një sistem me dy standarde dhe rrit diskriminimin ndaj palestinezëve.
Edhe disa vende europiane kanë shprehur shqetësim, duke paralajmëruar se ligji mund të cenojë parimet demokratike dhe të drejtën ndërkombëtare.
(A2 Televizion)