
Ukraina ka sulmuar rëndë portin Ust-Luga të Rusisë në Detin Baltik. Shpërthime dhe zjarr raportohen nga autoritetet lokale, në një zhvillim që mund të vështirësojë ndjeshëm eksportin e naftës. Imazhet satelitore treguan rezervuarët e magazinimit të naftës duke u djegur në portin Ust-Luga pas sulmit me dron, kur edhe porti i Primorskut u dëmtua gjatë sulmeve ukrainase.
Kievi ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës së eksportit të naftës të Rusisë gjatë muajit të kaluar, duke nisur sulmet më të rënda me dronë të luftës më shumë se katërvjeçare. Të paktën 40% e kapacitetit të eksportit të naftës së Rusisë është ndalur për shkak të sulmeve me dronë, sipas llogaritjeve të Reuters bazuar në të dhënat e tregut.
Ndërkohë, një sulm me dron nga ushtria e Kievit, goditi ndërtesën e administratës rajonale në Belgorod të Rusisë. Sipas zyrtarëve lokalë, tre persona mbetën të plagosur. Këshilltari presidencial rus, Nikolai Patrushev, duke folur në një takim të Kolegjit Detar, kryetar i të cilit është ai, tha se Ukraina kishte sulmuar infrastrukturën civile ruse dhe anijet tregtare duke përdorur informacion nga agjencitë perëndimore të inteligjencës.
Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, dhe ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, përveç Hungarisë, zhvilluan një vizitë në Kiev, për të shënuar përvjetorin e katërt të masakrës së Bucha-s dhe për të shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën. Kjo vjen mes tensioneve brenda bllokut mbi ndihmën e BE-së. (A2 Televizion)