
Danimarka ka akuzuar një anije luftarake ruse se ka lëshuar dy flakadanë emergjence në drejtim të një helikopteri danez, i cili po monitoronte anijen në Detin Baltik.
Në lidhje me incidentin, qeveria daneze ka thirrur ambasadorin rus për t’i kërkuar shpjegime. Sipas autoriteteve daneze, ngjarja ndodhi të hënën, gjatë një operacioni “rutinë” monitorimi.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cilësoi veprimin e Rusisë si “të pamatur”, duke thënë se ai synonte “të frikësonte dhe të përçante”.
Nga ana tjetër, Rusia deklaroi se do ta “hetojë tërësisht” incidentin, por akuzoi helikopterët danezë se kishin kryer “manovra të rrezikshme” pranë anijeve luftarake ruse.
Incidenti ndodhi në të njëjtën ditë kur forcat e NATO-s rrëzuan një dron mbi Lituani, në një tjetër episod që ka shtuar shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të aleancës. Tensionet në këtë zonë mbeten të larta, ndërsa Rusia vijon pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Në një deklaratë për incidentin në Detin Baltik, Forcat e Armatosura Daneze thanë se “një prej helikopterëve Fennec të forcave ajrore u qëllua sot me flakadanë gjatë një operacioni rutinë fotografimi të një fregate ruse, e cila ndodhej në ujërat ndërkombëtare pranë Gedserit”.
Sipas deklaratës, njëri prej dy flakadanëve të lëshuar në drejtim të helikopterit kaloi shumë pranë tij. Ministria e Jashtme daneze e cilësoi incidentin si “plotësisht të papranueshëm”.
(A2 Televizion)