
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, në një reagim në rrjetet sociale pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që e la në burg kryebashkiakun, e konsideroi atë një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe mbi të gjitha, për demokracinë në këtë vend.
“Duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim praktikisht ka lënë pa efekt detyrues vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues të vendit. Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit”, shkruan Ndreca.
Sipas mbrojtjes ligjore, pasojat e këtij vendimi tejkalojnë procesin individual të Veliajt, meqenëse mbajnë peng funksionimin e zakonshëm të Bashkisë së Tiranës dhe shkelin vullnetin e qytetarëve. Ndreca nënvizoi se prej 19 muajsh kryeqyteti privohet nga drejtuesi i zgjedhur me votë, ndërkohë që Veliaj vazhdon të mbahet në paraburgim edhe pse hetimet kanë përfunduar prej një viti.
“Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Prej 19 muajsh, qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur. Z. Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim. E gjithë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar, por për ta vijuar betejën. Mund ta izolojnë dhe t’i kufizojnë mundësinë për të folur, por nuk mund ta mundin politikisht nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes “lawfare”-it. Ne do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare. Shqipëria meriton një drejtësi të standardeve evropiane, e cila garanton të drejtat, respekton vendimet kushtetuese dhe mbron demokracinë, mjetin më të lartë që qytetarët kanë në dorë për të vendosur se kush i përfaqëson dhe kush e drejton vendin”.
(A2 Televizion)