
Rumania ka mbyllur të vetmin central bërthamor në vend për shkak të nivelit jashtëzakonisht të ulët të ujit në lumin Danub, si pasojë e motit të nxehtë të zgjatur që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës.
Centrali i Cernavodă-s, ku dy reaktorë prodhojnë rreth 20% të energjisë elektrike të Rumanisë, nuk pritet të rikthehet në funksion brenda 10 ditëve të ardhshme.
Në fillim të kësaj jave, autoritetet u përpoqën të rrisnin prurjen e ujit drejt centralit, i cili përdor Danubin për ftohje.
Hungaria fqinje deri tani ka shmangur mbylljen e centralit të saj të vetëm bërthamor në Paks, i cili gjithashtu përdor ujërat e Danubit. Niveli i ujit në lumin e dytë më të gjatë të Evropës ka rënë në nivelet më të ulëta të 30 viteve të fundit në disa vende.
Reaktori i dytë, me kapacitet 706 megavat, në centralin e Cernavodă-s u shkëput nga rrjeti elektrik rumun pak para mesditës të enjten.
“Ne nuk parashikojmë rikthimin në funksion brenda 10 ditëve të ardhshme”, tha drejtori i centralit, Romeo Urjan, për agjencinë e lajmeve AFP. Reaktori i parë ishte mbyllur më herët, në muajin korrik. Deri tani, centrali i Cernavodă-s ishte mbyllur vetëm një herë më parë, në vitin 2003. (A2 Televizion)