Debati historik Biden-Trump në CNN, vendosen rregullat, gjithçka në kamera dhe mikrofonë “të veçantë”

Nga Xhevahir Qardaku
27 Qershor 2024, 16:00 | Bota

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe rivali i tij Republikan, Donald Trump, përballen sonte në një debat historik në CNN. Ata shpresojnë që t’i japin një shtysë më të madhe fushatës së tyre për Shtëpinë e Bardhë dhe sfidën mediatike në Atlanta e konsiderojnë një shans për t’i dhënë formë narrativës së tyre politike.

Për Biden, objektivi është të bindë amerikanët se është në gjendje ta drejtojë presidencën pavarësisht 81 viteve mbi shpinë. Ndërsa 78-vjeçari Trump synon të lërë pas proceset gjyqësore. Sondazhet i japin përparësi republikanit se mund të fitojë debatin, por edhe zgjedhjet e nëntorit.

Kandidatët kanë vendosur dhe rregullat e debatit. Çdo përgjigje dhe veprim i tyri do të pasqyrohet nga kamerat e CNN dhe më pas do të analizohen nga ekspertët për të parë se si ndërveprojnë dhe si rezistojnë nën presion. Biden dhe Trump kanë pranuar se nuk do të konsultohen me bashkëpunëtoret e tyre apo këshilltarët, kur kamerat të jenë fikur.

Gjithashtu nuk do të lejohen që të flasin jashtë radhës së tyre, duke përdorur disa mikrofona të veçantë që do t’ju hapen me buton nga organizatorët. Temat kryesore që do të shtrohen për debat prekin ekonominë, luftërat në Ukrainë dhe Izrael, emigracionin, aleancat ushtarake dhe politike, deri të sistemi i drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Transmetimi në CNN do të jetë debati i parë televiziv i këtij lloji në histori. Kjo pasi do të organizohet nga një rrjet i vetëm informacioni pasi demokratët dhe republikanët braktisën komisionin dypartiak për debatet presidenciale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos