Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut akuzoi Izraelin se mund të ketë shkelur ligjet e luftës gjatë ofensivës në Gaza pasi nuk është kujdesur për të mbrojtur jetën e civilëve të pafajshëm.
Në një raport që shqyrton disa nga sulmet më të mëdha izraelite që shkaktuan një numër të madh viktimash dhe shkatërruan infrastrukturën civile, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut shkruan se në disa raste forcat izraelite nuk kanë bërë dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të Hamasit.
“Menduam se është me rëndësi nxjerrja e këtij raporti tani, veçanërisht duke e ditur se kanë kaluar rreth tetë muaj nga disa prej këtyre sulmeve dhe ende nuk kemi parë hetime të besueshme dhe transparente”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut.
Ajo u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të nisin një proces hetimor dhe shtoi se në mungesë të një procesi transparent është i domosdoshëm veprimi ndërkombëtar. (A2 Televizion)