Turmat brohoritëse dhe ceremonia luksoze e mikpritjes shoqëroi vizitën e Presidentit rus, Vladimir Putin në Phenian. Vizita ka marrë vëmendjen e shumicës së shteteve pasi Rusia mund të kontribuojë në fuqizimin nuklear të Phenianit dhe kjo e fundit të ndihmojë me armatime Rusinë në luftën kundër Ukrainës.
Të gjitha rrugët e kryeqytetit koreano-verior ishin mbushur me portretin e presidentit rus. Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un shprehu "mbështetje të plotë" për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe premtoi lidhje më të forta strategjike me Moskën.
"Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe të palëkundur për politikën ruse, duke përfshirë edhe politikën ndaj Ukrainës", tha Putin në fillim të bisedimeve, citoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.
Putin tha se Moska po lufton politikën hegjemoniste, imperialiste të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Nga ana e tij, Kim tha se marrëdhëniet Koreja Veriore-Rusi po hyjnë në një periudhë "prosperiteti të lartë".
“Koreja e Veriut shpreh mbështetjen dhe solidaritetin e plotë ndaj qeverisë, ushtrisë dhe popullit rus në kryerjen e një operacioni të posaçëm ushtarak në Ukrainë për të mbrojtur sovranitetin, interesat e sigurisë, si dhe integritetin territorial”, tha lideri i Koresë së Veriut.
Rezultat i takimit ishte finalizimi i një dokumenti, i cili "do të shërbejë si bazë e marrëdhënieve dypalëshe afatgjata".
Pentagoni shprehu shqetësimin për lidhjet në rritje midis Moskës dhe Phenianit. Gjenerali Pat Ruder në një konferencë për shtyp tha se, afrimi midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është në dëm të stabilitetit në Gadishullin Korean, por edhe në luftën ndaj Ukrainës.
"Bashkëpunimi i thelluar midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është diçka që duhet të shqetësojë, veçanërisht për këdo që është i interesuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në gadishullin korean, por gjithashtu të mbështesë popullin e Ukrainës ndërsa ata vazhdojnë të luftojnë kundër agresionit rus”.
Kjo është vizita e parë e Putinit pas 24 vitesh në Korenë e Veriut dhe vjen pas mbështetjes së dhënë nga ana e Phenianit për luftën në Ukrainë. (A2 Televizion)