Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka kritikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Shtetet e Bashkuara dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken për heqjen e kufizimeve për armët që duhet të dërgohen në Izrael.
Me tone nervoze dhe kërcënuese, Netanjahu tha se kur u takua me Blinken në Izrael, i tha atij se ishte "e paimagjinueshme" që në muajt e fundit Uashingtoni "po i mbante armët dhe municionet" Izraelit.
“Kur Sekretari Blinken ishte kohët e fundit këtu në Izrael, patëm një bisedë të sinqertë. I thashë se vlerësoja thellësisht mbështetjen që SHBA i ka dhënë Izraelit që nga fillimi i luftës. Por unë thashë edhe diçka tjetër, thashë se është e paimagjinueshme që në muajt e fundit, administrata të ketë mbajtur armë dhe municione për Izraelin. Sekretari Blinken më siguroi se administrata po punonte ditë e natë për të hequr këto pengesa. Unë sigurisht shpresoj që të jetë kështu”.
Biden në prill e paralajmëroi Izraelin se SHBA do të ndalonte furnizimin me armë nëse forcat izraelite kryejnë një pushtim të madh të Rafahut, një qytet i mbushur me refugjatë në Gazën jugore.
Reagimi i ashpër i Netanjahut, vjen në momentin kur, Izraeli po finalizon planin për luftën me organizatën e fuqishme të mbështetur nga Irani, Hezbollah. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se planet operacionale për një ofensivë në Liban janë "miratuar dhe vërtetuar", duke përshpejtuar "gatishmërinë e forcave në terren".
Njoftimi vjen mes sulmeve të përsëritura nga Hezbollahu dhe grupet aleate palestineze në Liban në Izraelin verior, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë. “Në një luftë gjithëpërfshirëse, Hezbollahu do të shkatërrohet dhe Libani do të goditet rëndë”, shkroi Ministri i Jashtëm Israel Katz në X.
Si kundër reagim, Shtëpia e Bardhë ka anuluar një takim të nivelit të lartë të fokusuar mbi Iranin me përfaqësuesit izraelitë, për shkak të polemikave me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu por edhe planit për sulmin ndaj Hezbollah. (A2 Televizion)