
Bisedimet e paqes midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që pritet të zhvillohen të shtunën në Islamabad, konsiderohen një moment vendimtar për arritjen e një zgjidhjeje të konfliktit, sipas kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, raporton A2CNN.
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Sharif konfirmoi se përfaqësues nga të dy vendet do të jenë të pranishëm në kryeqytetin pakistanez për të nisur negociatat.
Ai e cilësoi këtë samit si një moment krenarie jo vetëm për Pakistanin, por edhe për të gjithë “botën myslimane”. Mediat shtetërore iraniane raportuan më herët se delegacioni negociator i Iranit mbërriti në Islamabad përpara bisedimeve të paqes me SHBA-në që do të zhvillohen këtë fundjavë.
Kanali në Telegram i televizionit shtetëror iranian tha se delegacioni kryesohet nga Mohammad-Bagher Ghalibaf, Kryetari i Parlamentit iranian.
Ai shoqërohet nga Abbas Araghchi, Ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Ahmadian, Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes, Abdolnaser Hemmati, Guvernatori i Bankës Qendrore, si dhe disa anëtarë të Parlamentit iranian. Dy avionë iranianë u ulën në një aeroport pranë kryeqytetit të Pakistanit, sipas faqes së gjurmimit të fluturimeve Flightradar24.
(A2 Televizion)