Lufta për Hënën ka nisur. SHBA dhe Kina janë në garë për ndërtimin e bazës së parë atje. Ndërsa misioni historik i NASA-s Artemis forcon rrugën e Shteteve të Bashkuara për rikthimin në Hënë, synimi i Kinës për të dërguar astronautë atje deri në vitin 2030 po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe gjeopolitike, duke rritur presionin mbi Pekinin për të përmbushur ose tejkaluar afatet.
Katër astronautë amerikanë në misionin Artemis II fluturuan përtej anës së errët të Hënës, duke udhëtuar më thellë në hapësirë se çdo njeri më parë dhe duke përgatitur terrenin për Artemis IV, i cili synon uljen në Hënë në vitin 2028.
Qëllimi përfundimtar është ndërtimi i një baze në Hënë. Por sa afër jemi me këtë?
Malcolm Macdonald shprehet: “Sa afër jemi ndërtimit të një baze në Hënë është një pyetje shumë e vështirë për t’u përgjigjur, sepse gjithçka varet nga buxheti. Në thelb varet nga buxheti, vullneti politik dhe faktorë të tillë. Objektivi amerikan është që njerëzit të rikthehen në Hënë diku nga viti 2028. Kjo duket optimiste. Kinezët synojnë ta bëjnë para vitit 2030. Ata zakonisht janë më të paqartë me afatet, por shpesh i realizojnë ato. Pra, ajo që po e shtyn situatën aktuale është fakti që amerikanët e kuptojnë se kinezët do të bëjnë një hap të tillë dhe po reagojnë ndaj kësaj.”
“Nga pikëpamja teknike, ne e kemi bërë këtë në vitet ’60 dhe ’70; nëse do të donim vërtet, mund të kishim një bazë në Hënë brenda 12 deri në 24 muajve. Teknologjia ekziston. Do të na duhej ta testonim dhe të siguroheshim që funksionon siç duhet. Por nëse paratë nuk do të ishin problem, një bazë në Hënë mund të realizohej brenda një apo dy vitesh. Problemi është se fondet janë të kufizuara dhe nuk mund të hedhim pafund burime. Prandaj duhet një proces më i gjatë dhe kjo është arsyeja pse do të marrë më shumë kohë”, tha Macdonald.
Malcolm Macdonald, president i zgjedhur i Shoqërisë Aeronautike Mbretërore, tha se nxjerrja e burimeve në Hënë është një nga fushat kryesore të kërkimit dhe inovacionit shkencor. Është e mundur që Hëna të ofrojë minerale, materiale dhe metale që nuk gjenden në Tokë, çka mund të sjellë përparime në energjinë e pastër dhe elektronikë.
“Ka kërkime dhe zhvillime shumë interesante për t’u bërë, sidomos sa i përket nxjerrjes së burimeve në Hënë. Jo vetëm akull uji, por edhe minerale, materiale dhe metale që mund të mos ekzistojnë në Tokë. Këto mund të sjellin zhvillime në energjinë e pastër, elektronikë apo edhe fusha të tjera si metalet e rralla apo reaksionet bërthamore. Por në këtë fazë gjithçka mbetet ende spekulative. Ideja kryesore është krijimi i një baze që zhvillon një ekonomi hënore, e cila më pas mbështet edhe ekonominë e Tokës”, vijoi Macdonald.
Por cilat janë sfidat teknike në këtë mision?
“Arkitektura” që po diskutohet nga SHBA për të arritur në sipërfaqen e Hënës është komplekse, tha Macdonald. Ajo mund të përfshijë bashkimin e anijeve kozmike në orbitën e Hënës, diçka që nuk është realizuar më parë.
Malcolm Macdonald thotë: “Arkitektura që amerikanët po propozojnë për të arritur në sipërfaqen e Hënës është mjaft komplekse. Ajo përfshin bashkimin e anijeve kozmike, shpesh në orbitën e Hënës, diçka që nuk e kemi bërë më parë. Zakonisht këto manovra i kryejmë pranë Tokës, ku komunikimi është shumë më i shpejtë. Kryerja e manovrave të tilla komplekse në orbitën hënore shton shumë vështirësi për misionin. Kjo lidhet edhe me faktin që programi nuk është ende aq i qartë sa mund të pritej.”
Macdonald tha se ekziston një “besim i përgjithshëm” që në krateret e Polit të Jugut të Hënës mund të ketë akull uji, i cili do të siguronte burimet bazë për mbijetesën e njerëzve.
“Ekziston bindja se në disa kratere në Polin e Jugut të Hënës mund të ketë akull uji. Dhe për mbijetesën e njerëzve, uji është thelbësor. Nëse një bazë ndërtohet atje dhe ky ujë është i disponueshëm, atëherë kemi një burim bazë pa pasur nevojë ta transportojmë nga Toka, gjë që është shumë e rëndë, komplekse dhe e kushtueshme. Nëse mund ta sigurojmë në Hënë, kjo e bën bazën shumë më të realizueshme. Kjo është arsyeja pse si SHBA ashtu edhe Kina po fokusohen në atë zonë”, u shpreh Macdonald.
Sipas Macdonald, Hëna është “hapi i parë” drejt krijimit të një baze të përhershme në një trup tjetër qiellor, duke na dhënë eksperiencë për të jetuar në atë lloj mjedisi. Por duhet të ndërtojmë gradualisht dhe të fillojmë të përdorim burimet që ofron Hëna, në vend që t’i marrim të gjitha nga Toka. Pas kësaj, mund të shohim drejt Marsit, megjithëse kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti.
“Në fund të fundit, ideja është të mësojmë të jetojmë në hapësirë. Ne kemi shkuar në Hënë edhe më parë dhe jemi kthyer disa herë, por ishte si një vizitë e shkurtër: shkuam, bëmë diçka dhe u kthyem. Kemi dekada eksperiencë në orbitën e Tokës, që na ka mësuar si të jetojmë në mungesë graviteti, por jemi ende shumë pranë Tokës. Hëna është hapi i parë larg saj. Ajo na jep mundësinë për një bazë të përhershme dhe për të ndërtuar eksperiencë reale në hapësirë. Pastaj mund të mendojmë për Marsin dhe më tej”, tha Macdonald. (A2 Televizion)