Trump kërcënon me shkarkimin e kreut të Fed, përplasje e fortë me Powell për normat e interesit

Nga A2 CNN
15 Prill 2026, 16:56 | Bota

Trump kërcënon me shkarkimin e kreut të Fed, përplasje e

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund të shkarkojë kreun e Rezervës Federale, Jerome Powell, nëse ai nuk largohet nga detyra në përfundim të mandatit të tij në maj.

Deklarata vjen në kulmin e një përplasjeje të fortë mes dy zyrtarëve, kryesisht për shkak të refuzimit të Powell për të ulur normat e interesit, pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga Trump.

Mandati i Powell përfundon më 15 maj, por ai ka bërë të qartë se do të qëndrojë në detyrë deri në konfirmimin nga Senati të pasardhësit të propozuar nga Trump, Kevin Warsh. Nëse kjo nuk ndodh në kohë, Powell pritet të vijojë përkohësisht në krye të institucionit, duke iu referuar praktikave ligjore të mëparshme.

“Do të më duhet ta shkarkoj”, deklaroi Trump për Fox Business, duke shtuar se më parë e kishte shmangur një veprim të tillë për të mos krijuar polemika.

Ndërkohë, procesi i emërimit të Warsh është futur në ngërç. Senatori republikan Thom Tillis ka kërcënuar se do të bllokojë konfirmimin e tij nëse nuk ndërpritet një hetim penal ndaj Powell, që lidhet me kostot e larta të rinovimit të ndërtesës së Rezervës Federale.

Trump ka mbrojtur vazhdimin e hetimit, duke theksuar se duhet të zbardhen plotësisht shpenzimet, të cilat sipas tij arrijnë në miliarda dollarë për një projekt që mund të kushtonte shumë më pak.

Më herët, Trump e ka kritikuar ashpër Powell, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe për dështim në drejtimin e politikave monetare. Nga ana tjetër, vetë presidenti kishte qenë ai që e emëroi Powell në këtë post në vitin 2017, ndërsa më pas ai u rikonfirmua nga Joe Biden në vitin 2021.

Një shkarkim i mundshëm i kreut të Fed do të ishte një precedent i paprecedentë në historinë e SHBA-së dhe mund të shkaktojë tronditje në tregjet financiare, të cilat edhe më herët kanë reaguar negativisht ndaj tensioneve mes Shtëpisë së Bardhë dhe bankës qendrore.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos