Europa po krijon një bllok të ri ushtarak, ku do të përfshihet dhe Ukrainë. Është alarmi që ngriti në Kinë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Sipas tij, qëllimi I aleancës do të jetë konfrontimi me Rusinë, duke i dhënë më shumë liri SHBA-së të përballet me Kinën në Indo Paqësor. Pas takimit me Jinping në Pekin, Lavrov, paralajmëroi kundër realizimit të një ideje të tillë.
“Ish - i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Keith Kelloggdhe të ashtuquajturat fuqitë e mëdha evropiane po promovojnë idenë e krijimit të një blloku të ri ushtarak me Ukrainën si anëtare dhe madje si pjesëmarrëse kryesore. Është e qartë se kështu SHBA-ja dëshiron të zhvendosë përgjegjësinë kryesore për frenimin e Rusisë te Evropa, në mënyrë që të ketë duart e lira në frontin kinez. Ata nuk e fshehin këtë”, u shpreh Lavrov.
Por jo vetëm kaq. Sipas Lavrovit, perëndimi po përpiqet të shndërrojë Serbinë në një lloj zone tampon për përballjen me Rusinë.
“Ata po i thonë Serbisë mund të vazhdosh me negociatat e pranimit nëse përmbush dy kushte: të njohësh pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë , gjë që mjafton për të kuptuar natyrën antiserbe të qëndrimit të Brukselit, dhe së dyti, duhet të zbatosh të gjitha, pa përjashtim, sanksionet që BE po vendos kundër Federatës Ruse. Me fjalë të tjera, ata po përpiqen ta shndërrojnë Serbinë në një lloj zone tampon për përballje me Rusinë”.
Sipas kreut të diplomacisë ruse, ndryshe nga Bashkimi Evropian, Rusia është e interesuar të ketë një infrastrukturë unifikuese në Ballkan, siç tha, ekonomike, kulturore dhe çdo infrastrukturë tjetër. Ai shtoi se i njëjti qëllim, ndiqet nga iniciativa kineze 'Një brez, një rrugë', e cila sipas tij është shumë popullore në Ballkan dhe promovohet në mënyrë aktive. (A2 Televizion)