Presidenti Donald Trump firmosi ditën e “pavarësisë ekonomike Amerikane” me një dekret më 2 prill. Përkthyer më qartë: kreu i Shtëpisë së Bardhë i shpalli luftë tregtare mbarë botës në një përpjekje për të riformuar marrëdhëniet tregtare me miq dhe armiq përreth globit.
Trump vendosi tarifa reciproke për të gjithë, duke filluar nga një minimum prej 10 përqind dhe duke u rritur deri në 50 përqind. Masat ndëshkuese nuk përfunduan me kaq, pasi shtesë është caktuar edhe tarifë prej 25 për qind për të gjitha importet e makinave të huaja dhe pjesëve për automjete.
Kështu presidenti Trump po nis një ofensivë ekonomike me një vit zero apo thënë me fjalët e tij me një “ditë të çlirimit” për ta bërë Amerikën sërish të pasur dhe për t’u kthyer qytetarëve të tij triliona dollarë, vendet e punës, dinjitetin, për të ndaluar grabitjet ekonomike dhe tregtare dhe për të rikthyer ëndrrën Amerikane. Në listën e të këqijve përfundoi Kina, Bashkimi Europian, Japonia, Koreja e Jugut dhe shumë shtete të tjera. Përballë kësaj situate, të gjithë po bëhen gati për atë që pritet të jetë një përplasje me murin me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.
“Miqtë e mi Amerikanë, kjo është Dita e Çlirimit. Kemi pritur për një kohë të gjatë. 2 Prilli i 2025-ës do të mbahet mend përgjithmonë si dita kur industria amerikane u rilind, dita kur fati i Amerikës u rikuperua dhe dita që filluam ta bëjmë Amerikën të pasur përsëri. Për dekada, vendi ynë është plaçkitur, përdhunuar dhe grabitur nga kombet e afërta dhe të largëta. Si punëtorët e çelikut, punëtorët e automobilave, fermerët dhe mjeshtrit e aftë, ata kanë vuajtur me të vërtetë në ankth teksa liderët e huaj na kanë vjedhur punët, mashtruesit e huaj kanë plaçkitur atë që dikur ka qenë ëndrra e bukur Amerikane. Ne po vendosim një dysheme prej 10%. E shikoni këtë listë? Kjo vazhdon edhe me shtete të tjera me tarifa që do të na ndihmojnë të rindërtojmë ekonominë tonë dhe në parandalimin e vjedhjes. Unë e konsideroj një masë disi reciproke, pasi nuk është plotësisht e tillë. Ne u kemi vendosur vetëm gjysmën e asaj që na merret ne. Nëse ata ankohen, dhe duan që tarifat të jetë zero, atëherë hajde dhe ndërto produktin tëndë këtë në Amerikë, pasi nuk do keni tarifë. Thirrja ime është kjo: hiqni tarifat, ulni barrierar dhe mos manipuloni monedhën tuaj”, tha Trump.
“Nëse kjo nuk është thjesht një dredhi strategjike për t'u përpjekur për të bërë pazare sy për sy me vendet e tjera për të ulur tarifat nga të dyja palët, nëse kjo çon në një mjedis ku ka tarifa më të larta globalisht për një periudhë të qëndrueshme kohore, mendoj se mund të jetë mjaft domethënëse, në njëfarë mase. Themeli për një ekonomi të fortë globale është kur kombet mund të specializohen në prodhimin e mallrave ose shërbimeve që ata mund t'i bëjnë më së miri dhe të mos kesh pengesa për tregtinë. Kjo e bën ekonominë më efikase dhe siguron një lloj themeli të fortë. Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Trump, shpalosën strategjinë e tyre dhe arsyetimin e tyre pas vendosjes së tarifave, por ata nuk e lidhën atë me planin më të gjerë ekonomik të administratës. Është e paqartë se si kjo lidhet me objektivat ekonomike të kësaj administrate dhe nuk e kam plotësisht të qartë se cilat janë objektivat e tyre ekonomike. Nëse do ta zbatojnë kundër një pjese të gjerë vendesh për gjithçka që importojmë, mendoj se të gjitha produktet mund të bëhen më të shtrenjta. Mendoj se rasti me Tajvanin është se ne importojmë një numër çipash kompjuteri prej tyre, dhe për rrjedhojë do të bëhen më të shtrenjtë, duke bërë që kompjuterët personal të bëhen më të shtrenjtë”, u shpreh Thomas Bridges, Profesor në Universitetin e Delaware.
“Ne duhet të jemi shumë të shqetësuar. Hera e fundit që ka ndodhur një luftë tregtare në këtë shkallë ishte në vitet 1930, ishte Akti Tarifa Smoot-Hawley dhe çoi në një recesion global në mbarë botën. Dhe nëse kjo luftë tregtare përshkallëzohet, ne mund të shohim një ngadalësim të ekonomisë globale në shkallën e Krizës Botërore Financiare të 2014-ës dhe ndoshta edhe më të thellë. Mund të ketë disa industri që do të përfitonin nga këto tarifa në SHBA. Megjithatë dihet mirë se tarifat nuk janë mjeti më i mirë i politikës industriale. Kjo do të çojë menjëherë në një rritje të çmimeve të konsumit në SHBA. Do të çonte në një ngadalësim të përgjithshëm të ekonomisë amerikane. Për më tepër, shumë nga ato tarifa, vendosen mbi pjesët dhe komponentët në importe, të cilat mund të kenë efekt në prodhimin e mallrave amerikane. Pra efekti në pjesë më të madhe të industrisë, si prodhimi i makinave, do të jetë i kundërt, do t'i bënte mallrat e prodhuara në SHBA më të shtrenjta dhe për këtë arsye më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare dhe më pak të përballueshme në tregun vendas amerikan”, tha Vladimir Tyzhalenikov, profesor në Universitetin e Sidnej.
“Ne sigurisht që duhet të kthejmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendet e punës dhe kjo është diçka që ne demokratët e Kongresit e mbështesim. Por këto tarifa të nxituara nuk janë diçka strategjike. Asgjë që Donald Trump dhe Elon Musk kanë bërë këto mbi 70 ditë nuk është strategjike. Është kaos, krizë dhe konfuzion. Ka shumë korrupsion të mbështjellë me këtë dhe po shkakton dëm të madh. Ata po shkatërrojnë ekonominë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata po kërkojnë që vendet e botës të sillen si republikanët në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, që të ulen dhe të marrin urdhra nga Donald Trump dhe Elon Musk. Nuk pres që bota ta bëjë këtë dhe është për të ardhur keq që kjo administratë po prish mundësitë për të punuar së bashku”, tha Hakeem Jeffries | Kongresmen në SHBA.
Përballë këtij sulmi frontal, bota reagoi thuajse me një frymë. Bashkimi Europian prej kohësh kishte nisur me përgatitjen e një plani për vendosjen e kundërmasave ndaj tarifave të Amerikës, duke shtyrë përpara këtë luftë tregtare. Edhe Britania e Madhe ka gati planin e saj të veprimit për të mbrojtur kryesisht qytetarët, bizneset por kryesisht ekonominë. Megjithatë palët lënë të hapur mundësinë e dialogut me presidentin amerikan, Donald Trump, për mundësuar një lloj normaliteti tregtar. Por ajo që të gjithë pajtohen, përveç Uashingtonit, është fakti se kjo mund ta fusë globin në një spirale të rrezikshme ekonomike, me çmime të larta, inflacion të pakontrollueshëm dhe më shumë varfëri e shpërdorim.
“Presidenti Trump njoftoi tarifa universale për mbarë botën, përfshirë Bashkimin Europian, në një goditje të madhe për ekonominë globale. Më vjen shumë keq për këtë zgjedhje. Le të jemi të qartë për pasojat e mëdha. Ekonomia globale do të vuajë masivisht. Tarifat do të dëmtojnë gjithashtu konsumatorët në mbarë botën. Efektet do të ndihen menjëherë. Miliona qytetarë do të përballen me fatura më të larta ushqimore. Mjekimi do të kushtojë më shumë, po ashtu edhe transporti. Inflacioni do të rritet. Dhe kjo po dëmton veçanërisht qytetarët më të cenueshëm. Të gjitha bizneset, të mëdha dhe të vogla, do të vuajnë që nga dita e parë, nga pasiguria e madhe deri te ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm të negociojmë me Shtetet e Bashkuara për të hequr barrierat e mbetura për tregtinë transatlantike. Në të njëjtën kohë, ne jemi të përgatitur të përgjigjemi. Tashmë jemi duke finalizuar paketën e parë të kundërmasave në përgjigje të tarifave ndaj çelikut dhe tani po përgatitemi për kundërmasa të mëtejshme për të mbrojtur interesat tona dhe bizneset tona”, tha Ursula von der Leyen, Presidente e KE.
“Mbrëmjen e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, veproi për vendin e tij. Atë mandat ka. Sot, unë do të veproj në interes të Britanisë. E kuptoj se sa e rëndësishme është kjo për biznesin tuaj dhe për britanikët. Prandaj, ne do të ecim përpara me fazën tjetër të planit tonë. Vendimet që ne marrim në ditët në vijim, do të udhëhiqen vetëm nga interesi jonë kombëtar, ai ekonomik, interesi i bizneseve dhe i vendosjes së parave në xhepat e punëtorëve. Asgjë tjetër nuk do të më udhëheqë. Ky është fokusi im. Sigurisht, do të ketë një impakt ekonomik nga vendimet që SHBA ka marrë, si këtu ashtu edhe në ekonominë botërore. Por dua të jem shumë i qartë, ne jemi të përgatitur. Askush nuk do të fitojë në një luftë tregtare. Kjo nuk është në interesin tonë kombëtar. Ne kemi një marrëdhënie të drejtë dhe të balancuar me Amerikën”, tha Keir Starmer, Kryeministër i Britanisë së Madhe.
“Vendi unë ka qenë investitori më i madh në Shtetet e Bashkuara që prej 2019-ës. Kompanitë japoneze kanë luajtur dhe do të vazhdojnë të luajnë një rol të madh në ekonominë amerikane. Ne i kemi kërkuar qeverisë së SHBA që të rishikojë tarifat e njëanshme në nivele të ndryshme dhe jemi shumë të zhgënjyer që kjo masë është vendosur pavarësisht të gjithave”, tha Shigeru Ishiba | Kryeministër i Japonisë.
“I konsideroj tarifat e fundit të presidentit amerikan një vendim tepër të gabuar. Ky është një sulm ndaj rendit tregtar që ka krijuar prosperitet për mbarë botën. E gjithë ekonomia globale do të vuajë nga këto vendime të pamenduara dhe të këqija, kompanitë dhe konsumatorët në të gjithë botën, përfshirë në SHBA. Qeveria e SHBA po ecën në një rrugë që do të përfundojë vetëm me humbës. Bashkimi Europian ka tregun e brendshëm më të fortë të botës me 450 milionë konsumatorë dhe kjo na jep forcë. Jemi në dispozicion për bisedime me qeverinë amerikane për të shmangur një luftë tregtare. Është e dukshme se edhe nëse Europa nuk do të bëjë asgjë, kjo do të rezultojë në vështirësi ekonomike për vetë Shtetet e Bashkuara”, tha Olaf Scholz | Kancelar i Gjermanisë.
“Australia mund të paraqesë një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë, por që nga viti 2020 Organi i Apelimit i OBT-së nuk është aktiv sepse SHBA-ja ka bllokuar emërimin e gjyqtarëve të rinj atje dhe efektivisht OBT nuk mund të zgjidhë asnjë konflikt. Pra, nuk do të ketë përgjigje. Ndryshe nga Australia, Kina, Azia Lindore dhe Juglindore janë partnerë kryesorë tregtarë me SHBA-në dhe do të jetë një goditje serioze për ta. Një luftë tregtare e kësaj shkalle mund të çojë lehtësisht në recesion global dhe më pas çdo vend në botë do të ndikohet. Ajo që është e rëndësishme dhe ajo që ne nuk e dimë ende është se si vendet e tjera do t'i përgjigjen tarifave të Trump. Ka shumë të ngjarë që këto vende të hakmerren dhe kjo do të ndikojë, natyrisht, në SHBA, por mund të sjellë përfitime ose dëme për ekonominë australiane. Për shembull, SHBA është gjithashtu një eksportues i madh i mishit të viçit, dhe për shembull Bashkimi Europian dhe Kina vendosin tarifa hakmarrëse ndaj produkteve bujqësore amerikane, atëherë kjo do të hapë mundësi të reja për eksportuesit australianë në tregun e tretë”, tha Vladimir Tyzhalenikov | Profesor në Universitetin e Sidnej.
“Industria e automobilave në Gjermani është tani nën një goditje të dyfishtë. Njëra është nga sfida e transformimit teknologjik, ndërsa tjetra është ristrukturimi i zinxhirëve të furnizimit global për shkak të barrierave të reja tregtare. Kompanitë gjermane janë veçanërisht të prekura sepse, si një komb i drejtuar nga eksporti, ekonomia gjermane është shumë e varur nga tregjet e huaja. Besoj se kompanitë do të fillojnë të kthehen në tregje të tjera ku marrëveshjet tregtare akzistojnë aktualisht”, tha Almut Roessner | Shoqata e Biznesit Gjermani-Azi-Paqësor.
“Të ndalemi pak në vendet e varfra. Shtete si Papua New Guinea, Fixhi, apo vendet në zhvillim sapo kanë nisur që të lëvizin dhe idea që ata janë një kërcënim për amerikanët është absurd. Dhe thjesht mendoni për një goditje ndëshkuese ndaj atyre ekonomive, që vjen nga Uashingtoni, dhe thjesht matni pulsin e saj për të kuptuar se kjo valë tarifash të liga do të ketë efekte shumë të mëdha dëmtuese për vendet relativisht të varfra që nuk mund ta përballojnë realisht këtë. Tani na rezulton se vendet e pasura po bashkohen dhe po thonë se kështu nuk është mirë. Shtetet e pasura do të hakmerren. Prandaj nuk mendoj se vendosja e tarifave nga Amerika për pjesën tjetër të botës nuk janë një ide e mirë. Nëse ato përplasen me tarifa nga pjesa tjetër e globit kundër SHBA-ve, atëherë gjithçka që presidenti Trump ka bërë është të izolojë amerikanët nga pjesa e mbetur e ekonomisë globale”, tha Justin Wolfers | Profesor në Universitetin e Miçiganit.
“Mbrëmja e 2 prillit doli pak më mirë se sa druhej Britania e Madhe. Ne nuk pamë Shtetet e Bashkuara të shënjestrojnë gjëra si TVSH-ja apo taksat e shitjeve, të paktën jo publikisht në një mënyrë që mund të prodhonte një faturë më të lartë. Dhe sigurisht, ka një ndarje të qartë mes tarifave që i janë vendosur”, tha Stephen Adams | Ekspert i Tregtisë në Britani .
Shqipëria është prekur nga tarifat amerikane të presidentit Donald Trump me 10 për qind. Kjo konfirmohet nga vetë lista e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë. Po me 10 për qind është goditur edhe Kosova gjithashtu. Serbia rezulton të jetë shteti më i prekur nga vendimi i presidentit Donald Trump, pasi tarifa tregtare është në masën 37 për qind për të gjitha shkëmbimet. Kjo është një nga masat më të larta të vendosura në listën e gjatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë. Më pas vjen Bosnje dhe Hercegovina me 35 për qind tarifë për mallrat e importuara në Shtetet e Bashkuara, Maqedonia e Veriut me 33 për qind, ndërsa Mali i Zi shpëtoi me vetëm 10 për qind tarifë. Përveç ndëshkimit monetar dhe tregtar, plani i presidentit amerikan në këtë luftë tregtare po lexohet edhe si përcaktim të ri të miqve dhe armiqve të administratës Trump.
Tani do të kalojmë në një tjetër zhvillim global që natyrisht ishte kryelajm kudo. Në Francë dhe më gjerë u konsiderua si një dënim me “vdekje politike”. Madje edhe si një tërmet për demokracinë. Gjykata e Parisit shpalli fajtore lideren e së djathtës ekstreme, Marine le Pen, për përvetësim të 2.9 milionë eurove nga Bashkimi Europian, të cilat i ka përdorur për të rritur partinë e saj të Frontit Nacional që tashmë është riemërtuar si Bashkimi Kombëtar, përmes një skeme disavjeçare ku punonjësit ishin regjistruar si funksionarë europianë, por që punonin vetëm për forcën e saj politike. Dënimi i dhënë nga gjykatësit ishte “bomba bërthamore” që hapi një gropë të madhe dhe të rrezikshme në demokracinë e Francës, sipas vetë Marine le Pen: sipas vendimit, politikanes nuk i lejohet për pesë vite që të mbajë një post publik, gjë e cila i shuan shpresat për të marrë pjesë si kandidate në zgjedhjet presidenciale të 2027-ës, proces në të cilin sondazhet e nxjerrin favorite për të fituar. Si pjesë e dënimit ishte dhe 4 vite burg, 2 prej tyre të pezulluara dhe 2 të tjera me kusht, një gjobë prej 100 mijë eurosh dhe 2 milionë të tjera për partinë e saj.
“Mbrojtja argumentoi për një keqkomunikimin ose keqkuptimin me administratën e Parlamentit Europian, por nuk duket të jetë kështu. Akuzat janë në të vërtetë ligjërisht mjaft të shëndosha, dhe vendimi në fakt bashkon pjesët e enigmës së një skeme më të madhe që e gjithë partia e ka ndjekur prej disa kohësh. Në fakt gjyqtari kishte diskrecion, një ndjenjë të dyfishtë diskrecioni, një për sanksionin shtesë për ndalimin e mbajtjes së posteve publike ose papërshtatshmërinë, dhe i dyti ishte ta zbatonte atë menjëherë dhe të mos priste apelimin përfundimtar. Për të parën, interesantja është se tani me ligjin më të fundit, ky sanksion kualifikimi do të ishte automatik”, th Eleonora Bottini | Profesoreshë në Universitetin Caen Normandy.
“Çështja ka qenë në pritje për mjaft kohë. Nuk është befasi. Ai sistem ishte shumë mirë i organizuar dhe faktet janë shumë të dukshme, dhe për këtë arsye dënimi sado i ashpër, është ligjërisht i justifikuar. Politikisht është shpërthyes. Por ligjërisht ka shumë kuptim. A mund ta imagjinoni që edhe truproja e saj paguhej nga paratë europiane sikur të ishte në të vërtetë duke bërë disa punë në Parlamentin Europian si asistent. Pra, sistemi, faktet, të gjitha janë të njohura për shumë kohë. Kjo nuk vjen si befasi. Por ke të drejtë, ajo që është shokuese është një tronditje politike. Sigurisht ajo që ka të ngjarë të ndodhë është se do të mobilizojë të gjithë ata në të djathtën ekstreme në Francë që besojnë në teoritë e konspiracionit sepse është gjithmonë shumë më e lehtë të thotë ‘është një gjueti shtrigash’, por Marine Le Pen ka bërë tashmë një apel. Pra, gjithçka varet tani se sa kohë do të zgjasë ai proces gjyqësor. Zakonisht, ju e dini, gjykatat tona janë të mbingarkuara. Mund të zgjasë nga 18 muaj deri në 2 vjet. Ndoshta procesi do të përshpejtohet, por ajo pret apelin. Kështu që gjykata e ardhshme mund të marrë përfundimisht një vendim tjetër”, tha Christine Ockrent | Gazetare.
“Është diçka shumë serioze t'i thuash dikujt që mund të fitojë 40 për qind të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, se ‘Nuk mund të kandidosh herën tjetër’. Kjo nuk do të ishte vdekja e partisë, sepse ata mund të kenë një tjetër kandidat, por është një dënim shumë i rëndë, i cili rrezikon të ngjallë tek mbështetësit e Frontit Nacional një perceptim të një verdikti shumë politik”, tha Jean-Yves Camus | Studiues, Politolog.
Reagimi i Marine le Pen natyrisht që ishte i furishëm, ashtu si dalja e saj nga gjykata pa e dëgjuar shqiptimin e vendimit nga trupa gjykuese. Në një konferencë akuzoi pushtetin se po përdor drejtësinë kundër saj, për t’i grabitur ëndrrën presidenciale. Luftën e saj për të zhbllokuar këtë situatë do ta përqendrojë në dy shtylla kryesore: e para përmes protestave masive në mbarë Francën, e dyta me sfida ligjore duke e apeluar dënimin e rëndë dhe dërguar atë për interpretim në kushtetuese. Por koha nuk duket se po lëviz në favor të saj. Dënimi është konsideruar një goditje e rëndë për karrierën e saj politike dhe ka shkaktuar reagime të forta. Mbështetës të saj, si kryeministri hungarez, Viktor Orban, zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini, madje deri te Presidenti amerikan dhe Kremlini në Rusi e kanë quajtur vendimin një sulm ndaj demokracisë, ndërsa kundërshtarët politikë në Francë kanë thënë se populli francez duhej të vendoste fatin e saj përmes votës. Nga ana tjetër, pas dënimit, gjyqtarja që mori vendimin është vënë nën mbrojtje policore për shkak të kërcënimeve të marra.
“Është e mundur që ajo të mos kandidojë për presidencialet, dhe këtë e tha menjëherë, edhe pse nënvizoi se nuk kishte mbaruar me politikën, por në të njëjtën kohë, në të njëjtën intervistë, ajo gjithashtu thotë se Jordan Bardela është një pasuri e madhe për partinë, duke sinjalizuar kështu që ai mund të marrë drejtimin në një farë mënyre edhe pse është paksa i ri për zgjedhjet presidenciale. Kështu që nuk jam e sigurt nëse e ka vendosur se çfarë do të bëjë. Mënyra e vetme që ajo të këtë një mundësi për të garuar do të ishte që apeli të ishte më i shpejtë se zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Megjithatë nuk është e sigurt se kjo është mundshme, sepse fushata do të fillojë shumë më herët, dhe kështu që ajo duhet të jetë e sigurt se do të jetë në gjendje të kandidojë për të nisur një fushatë që nuk mund të jetë e minutës së fundit. Kështu që unë mendoj se nëse apelimi nuk shkon aq shpejt sa ajo shpreson, atëherë ata do të gjejnë një kandidat tjetër vetëm për t'u siguruar”, tha Eleonora Bottini | Profesoreshë në Universitetin Caen Normandy.
“Duke marrë parasysh të gjithë elementët që prokurorja parashtroi fillimisht, rezultati nuk është befasues. Pyetja ishte vërtet nëse do të merrnin parasysh faktorët politikë dhe pasojat e vendosjes së një personi që është në fakt favorit i arratisur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Në gjendje të tërhiqet nga gara sepse ajo nuk mund të kandidojë me të gjitha pasojat që po shohim sot. Ata vendosën që çështjen ta gjykonin në themel. Vendimi është shumë i rëndë dhe ka një ndikim të menjëhershëm, por për mua nuk është një surprizë”, tha Thierry Arnaud | Korrespondent, BFMTV. (A2 Televizion)