Diego Simeone u bë protagonist për keq në humbjen e ekipit të tij, Atletico Madrid, në ndeshjen e Champions League ndaj Liverpool, të luajtur në "Anfield".
Trajneri argjentinas, pasi anglezët shënuan në shtesë golin e fitores, bëri sherr me një tifoz vendas dhe u desh ndërhyrja e rojeve të sigurisë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, arbitri e ndëshkoi me karton të kuq Simeonen, shkruan A2.
Pas ndeshjes, Simeone u shpreh: "Jemi në një pozicion ku nuk kemi të drejtë të reagojmë. Nuk është e drejtë kur reagojmë, sepse ne jemi protagonistët. U shënua goli i tretë dhe përveç fyerjeve, pati edhe një gjest ndaj meje. Edhe unë jam njeri jam. Nuk do të hyj në detaje. Unë duhet të mendoj për ekipin dhe derisa shoqëria ta zgjidhë këtë problem, çdo trajner duhet të jetojë me të. Janë gjëra që ndodhin gjatë gjithë kohës".
"Pati fyerje gjatë gjithë ndeshjes. Dhe gjeste gjithashtu. Unë jam ai që duhet të qëndroj i qetë dhe duhet të duroj gjestet, fyerjet, çdo situatë. Pse? Sepse jam në një vend ku duhet të duroj", shtoi Simeone. (A2 Televizion)