Zbulohen dhe asgjësohen 4600 rrënjë kanabis të fshehura pas malit

Nga A2 CNN
18 Shtator 2025, 13:13 | Kronikë

Zbulohen dhe asgjësohen 4600 rrënjë kanabis të fshehura pas

Policia e Shkodrës ka gjetur dhe asgjësuar mbi 4600 rrënjë kanabis në 5 njësi administrative të zonës, raporton A2 CNN. 3 persona janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se kanë kultivuar 780 bimë narkotike në fshatin Bajzë dhe kanë lidhur në mënyrë të kundërligjshme energjinë elektrike në një banesë në funksion të kësaj veprimtarie kriminale. Gjithashtu janë proceduar penalisht 5 kryetarë fshatrash, për shpërdorim të detyrës dhe moskallëzim të krimit, dhe 2 shtetas, për moskallëzim të krimit.    

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve:

-në territoret e njësive administrative Shosh dhe Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 3092 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarët e fshatrave Gimaj, Vuksanaj dhe Nicaj, shtetasit P. Sh., K. Gj. dhe M. M., për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; për shtetasin P. D., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit.”  

-Në territorin e njësisë administrative Kastrat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVKM Shkodër, gjetën dhe asgjësuan 1274 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit A. M., 57 vjeç, R. M., 30 vjeç, dhe R. M., 24 vjeç, banues në Bajzë, pasi dyshohet se kanë kultivuar 780 bimë narkotike që u gjetën në fshatin Bajzë dhe kanë lidhur në mënyrë të kundërligjshme energjinë elektrike në një banesë që kishin në përdorim, e vënë në funksion të kësaj veprimtarie kriminale. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarët e fshatrave Bajzë dhe Hot, shtetasit P. K. dhe A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; për shtetasin P. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.  

-Në territorin e njësive administrative Shllak dhe Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 273 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. 

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. 

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos