Dështon marrëveshja SHBA-Kanada, Trump vendos tarifa 50 %, Carney: Hakmarrje dollar me dollar

Nga Xhevahir Qardaku
22 Gusht 2026, 08:57 | Bota

Ashpërsohet lufta tregtare. Pavarësisht negociatave të minutës së fundit mes Uashingtonit dhe Otavës, Shtetet e Bashkuara kanë vënë në fuqi tarifat e reja prej 50 për qind ndaj një sërë produktesh kanadeze, përfshirë çimenton dhe shkopinjtë e hokejit.

Në Uashington, ministri kanadez i Tregtisë, Dominic LeBlanc, qëndroi deri vonë në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të anulonte tarifat. Masat prekin importe kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë. Por marrëveshja nuk u arrit.

Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi se Otava do t’u përgjigjet Shteteve të Bashkuara me tarifa ekuivalente. “Kanadaja do të vendosë tarifa të barabarta, dollar për dollar, për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset tona”, deklaroi Carney.

Dy vendet fqinje kanë negociuar prej javësh për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit tregtar, por marrëdhëniet mes tyre janë përkeqësuar ndjeshëm që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Tarifat amerikane ishin paralajmëruar fillimisht për të hyrë në fuqi të mërkurën, por Trump kishte dhënë një shtyrje prej tre ditësh, duke deklaruar se një marrëveshje ishte pranë finalizimit.

Sipas kryeministrit kanadez, ndryshimet e bëra në minutën e fundit nga pala amerikane ishin të padrejta dhe ekonomikisht të pafavorshme.

Carney njoftoi gjithashtu pezullimin e negociatave tregtare me Uashingtonin. “Amerika ka ndryshuar dhe ne nuk do t’i rikthehemi marrëdhënies së vjetër”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos