
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin që tronditi Australinë. Personat e armatosur, që dyshohet se kryen sulmin vdekjeprurës në një festë hebreje në plazhin Bondi javën e kaluar, hodhën katër eksplozivë, përfshirë një ‘bombë me top tenisi’, sipas dokumenteve të publikuara nga policia.
Naveed Akram, 24 vjeç, është akuzuar për dhjetëra vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje, lidhur me sulmin e kryer më 14 dhjetor. Personi i dytë i përfshirë në sulm, babai i tij Sajid Akram, u qëllua për vdekje.
Sipas dokumenteve të policisë, dyshja regjistroi një video në tetor, në të cilën ulen përpara flamurit të grupit të Shtetit Islamik, shkruan A2 CNN.
Autorët “e planifikuan me kujdes këtë sulm terrorist për shumë muaj”, pretendoi policia. Një video tjetër e shfaqte dyshen duke kryer stërvitje me armë zjarri në atë që policia beson se është zona rurale e Uellsit të Ri Jugor në tetor. (A2 Televizion)