Bashkimi Europian i ka ofruar SHBA-së një marrëveshje për të eliminuar reciprokisht të gjitha tarifat për mallrat industriale. Pavarësisht vendimeve tarifore të presidentit amerikan, Donald Trump, Bashkimi Evropian është i gatshëm të negociojë, tha presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen në dalje pubike për mediat në Bruksel.
“Është shumë e qartë se ne jemi të hapur për negociata. Ne po përgatisim një listë potenciale për masat e reja nëse kjo do të jetë e nevojshme. Ne preferojmë të kemi një zgjidhje me negociata. Partnerët përkatës dhe komisionerët së bashku me homologët e tyre amerikan janë në kontakt të vazhdueshëm rreth kësaj çështje. Është shumë e qartë që negociatat duhet të shkojnë thellë në detaje teknike, pra kjo duhet të zgjidhet e para, më pas vijnë hapat e tjerë”, tha Von der Leyen.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, oferta e Von der Leyen është bërë para vendimeve tarifore të Trump, por së fundmi është ritheksuar sërish të premten. Oferta mbetet në tavolinë, tha Von der Leyen. Ajo shtoi se tema e tregtisë së lirë për veturat tashmë ka qenë disa herë në tavolinë, por nuk ka pasur përgjigje adekuate.
Von der Leyen e bëri të qartë se përveç përpjekjeve për negociata, do të përgatiteshin kundërmasa të mundshme në rast se negociatat dështonin. Përveç kësaj, ata gjithashtu do të mbrohen nga efektet e ridrejtimit të mundshëm të flukseve tregtare nga pjesë të tjera të botës përmes tarifave të importit të SHBA-së.
Për këtë qëllim, do të ngrihet një “task force për monitorimin e importeve”. Ajo do të punojë me industrinë për të siguruar që ka prova të qëndrueshme për veprimin e politikave.
Para komenteve të Presidentit të Komisionit, këshilltari presidencial i SHBA Elon Musk foli në fundjavë në favor të një zone transatlantike të tregtisë së lirë pa asnjë tarifë. Ai shpreson që SHBA dhe Europa të mund të bien dakord për një partneritet edhe më të ngushtë se më parë, tha kreu i prodhuesit të makinave elektrike Tesla. (A2 Televizion)