“Do hedhim në erë fushën e gazit’’, Trump kërcënon Iranin pas sulmit ndaj impiantit në Katar

Nga Rosalba Bejdo
19 Mars 2026, 10:13 | Bota

Sektori i energjisë bëhet fushëbeteja kryesore e luftës në Lindjen e Mesme, e cila duket se po del jashtë kontrollit. Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të hedhë në erë fushën e gazit të Parsit Jugor në Iran, nëse Republika Islamike ndërmerr sulme të tjera hakmarrëse ndaj infrastrukturës së gazit të lëngshëm natyral në Katar.

Në një postim të fortë në rrjetin social Truth Social, Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk dinin asgjë mbi sulmin e Izraelit në fushën e Parsit Jugor, të cilën Irani e ndan me Katarin. Ai shtoi më tej se nuk do të ketë sulme të tjera nga shteti hebre ndaj fushës së gazit, vetëm në rastin se Irani do të sulmonte sërish impiantin më të madh të gazit të lëngshëm në botë që gjendet në Katar, Ras Laffan.

"Në këtë rast, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ose pa ndihmën ose pëlqimin e Izraelit, do ta hedhin në erë masivisht të gjithë Fushën e Gazit të Parsit Jugor me një forcë dhe fuqi që Irani nuk e ka parë ose dëshmuar kurrë më parë."

Por pas valës së sulmeve të së mërkurës ndaj kompleksit energjetik të Ras Laffan, që shkaktoi zjarre në kompleks, Irani ka goditur sërish në orët e para të së enjtes, edhe pse nuk u raportuan viktima. Irani u kundërpërgjigj pasi Izraeli shënjestroi fushën e gazit të Parsit Jugor disa orë pasi eliminoi ministrin e inteligjencës në Iran dhe ndërmori një prej valëve më intensive të sulmeve ajrore në Bejrut. Teherani sulmoi infrastrukturën energjetike edhe në vendet e tjera të Gjirit, si ato të Habshan dhe të Bab në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo e fundit tha se kishte pezulluar operacionet pas sulmit. Përshkallëzimi shton ndërprerjen e paprecedentë të furnizimit global me energji, gjë që ka rritur rreziqet politike për Trumpin, i cili iu bashkua Izraelit në sulmin ndaj Iranit gati katër javë më parë. Ndërsa nuk ka asnjë sinjal zbutjeje të konfliktit, presidenti amerikan po konsideron të dërgojë mijëra trupa të tjerë në Lindjen e Mesme, sipas 3 zyrtarëve të cituar nga Reuters. Këto trupa mund të përdoren për të rivendosur kalimin e sigurt të cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për një të pestën e tregtisë botërore të naftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos