
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka deklaruar se buxheti ushtarak amerikan për vitin 2027 do të rritet ndjeshëm, nga 1 trilion dollarë në 1.5 trilion dollarë. Vendimi, sipas tij, vjen pas negociatave të gjata dhe të vështira me senatorë, kongresmenë, sekretarë dhe përfaqësues të tjerë politikë, në një kohë që ai e cilëson si “tejet të trazuar dhe të rrezikshme” për sigurinë globale.
Në deklaratën e tij, Trump thekson se kjo rritje synon ndërtimin e asaj që ai e quan “Ushtria e Ëndrrave”, një forcë ushtarake e pashembullt që, sipas tij, do ta mbajë SHBA-në të sigurt dhe të mbrojtur “pavarësisht çdo armiku”. Presidenti argumenton se një ushtri e tillë është jo vetëm e nevojshme, por edhe e merituar prej kohësh nga Shtetet e Bashkuara.
"Kjo do të na mundësojë të ndërtojmë “Ushtrinë e Ëndrrave” që e kemi merituar prej kohësh dhe, më e rëndësishmja, që do të na mbajë të sigurt dhe të mbrojtur, pavarësisht çdo armiku", tha Trump.
Një element kyç i justifikimit të këtij buxheti rekord, sipas Trump, janë të ardhurat e larta të gjeneruara nga tarifat doganore ndaj vendeve të tjera. Ai pretendon se këto tarifa po sjellin të ardhura të paprecedenta për ekonominë amerikane, në nivele që, sipas tij, do të kishin qenë “të paimagjinueshme” vetëm një vit më parë. Trump kritikon ashpër administratën e mëparshme të Joe Biden, të cilën e cilëson si “më të keqen në historinë e vendit”.
Përveç forcimit të ushtrisë, presidenti deklaron se rritja e buxhetit do të mundësojë njëkohësisht uljen e borxhit kombëtar dhe shpërndarjen e një “dividendi të konsiderueshëm” për qytetarët amerikanë me të ardhura të mesme, të cilët ai i quan “patriotë”. (A2 Televizion)