Ukrainës i duhen 500 mijë trupa shtesë, Zelensky paralajmëron: Në 2024 prodhojmë 1 milion dronë

Nga Rosalba Bejdo
20 Dhjetor 2023, 09:29 | Bota

Ushtria ukrainase synon të mobilizojë deri në 500 mijë trupa shtesë në luftën me Rusinë. Këtë e zbuloi presidenti Volodimir Zelenski, gjatë një konference për shtyp në Kiev, teksa konflikti i afrohet 2 vjeçarit.

Duke pranuar, se kjo ishte një çështje e ndjeshme dhe e kushtueshme, konsideruar shifrën e lartë, lideri ukrainas theksoi se nevojiteshin  më shumë detaje përpara se të përkrahte një lëvizje të tillë.

Në deklaratën e tij, Zelenski la të kuptohet se gjysmë milion ushtarë gjendeshin tashmë në frontin e luftën ndërsa përjashtoi mundësinë e mobilizimit të grave.

Më duhen detaje. Çfarë do të ndodhë me një ushtri prej 1 milion trupash në Ukrainë, çfarë do të ndodhë me ata djem që po mbrojnë shtetin tonë prej dy vitesh?

Komentet vijnë në vazhdën e bllokimit të ndihmave jetësore nga SHBA-ja dhe BE-ja më herët gjatë muajit.

Kongresi amerikan po mban peng paketën prej 60 miliardë dollarësh që presidenti Biden kërkon t’i japë Ukrainës, e po ashtu kryeministri hungrarez, Viktor Orban, vuri veton ndaj një ndihme financiare të BE-së prej 50 miliardë eurosh për shtetin në luftë.

Ndërsa aleatët zotohen se nuk do ta lënë pa gjë Ukrainën, kjo e fundit përballet me mungesa të municioneve teksa vijon luftën kundër forcave pushtuese. Por Zelenski u shpreh i bindur se Amerika nuk do t’i lërë në baltë. I pyetur gjatë konferencës me gazetarët nëse Kievi po fillonte ta humbiste luftën, Zelenski u përgjigj me jo të prerë.

Presidenti ukrainas njoftoi gjithashtu se vendi i tij do të prodhonte 1 milion dronë në 2024-tën, ndërsa sugjeroi se qëllimi i Ukrainës mbetet i pandryshuar: rimarrja e kontrollit në të gjithë territorin e njohur ndërkombëtarisht, përfshirë edhe Krimenë.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos