Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin është përhapur edhe në ngushticën e Hormuzit një prej itinerareve më të rëndësishme të energjisë në botë, duke çuar në rritje të çmimeve të naftës. Tregtia përmes ngushticës, ku kalon 1/5 e naftës se konsumuar glo0balish e po ashtu sasi të mëdha të gazit, thuajse është pezulluar plotësisht mes sulmeve iraniane ndaj cisternave të naftës ne rajon.
Një komandant i Gardës revolucionare iraniane tha të hënën se ngushtica ishte e mbyllur dhe se çdo anije që do të përpiqej të kalonte përmes saj do t’i vihej zjarri. Të paktë 5 cisterna janë dëmtuar, dy vetë janë vrarë dhe rreth 150 anije kanë mbetur të bllokuara rreth ngushticës, të cilat ndajnë iranin dhe Omanin.
Çmimet e naftës u rritën në gati 80 dollarë për fuçi të hënën, pasi prekën vlerën e73 dollarëve në prag të luftës, të premten. Shumica e naftës bruto që kalon përmes ngushticës së Hormuzit, shkon në Azi, me Kinën blerësen më të madhe. Bashkë me Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut ato importojnë rreth 70 përqind të ngarkesave me naftë. Prandaj shtetet aziatike me ne krye Kinën, janë ato që do ta ndjenë më shumë impaktin ekonomik të luftës.
Ekspertët atje kanë paralajmëruar se nëse bllokada në Hormuz vazhdon, kriza e gazit të lëngshëm do të hyjë në epokë të paprecedentë. Sa i përket Europës, rreth 30 për qind e furnizimit me karburant për avionë vjen ose kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa një e pesta e furnizimit global me gaz natyror të lëngshëm kalon nëpër këtë rrugë ujore. Bursat europiane prekën rekordin më të ulët njëmujor të martën, teksa investitorët u frikësohen mundësisë së një lufte të tejzgjatur në Lindjen e mesme dhe rritjes së çmimeve të naftës.
Çmimi i gazit ka filluar të rritet në kontinentin tonë, me analistët që parashikojnë se vazhdimësia e luftës do të çojë në fatura më të larta energjetike dhe do të peshojë mbi ekonominë.
SHBA nuk është më e varur nga nafta e Lindjes së Mesme, e megjithatë as ajo nuk është imune nga turbullirat në tregje. (A2 Televizion)