"Do të jetë tenxhere me presion", Hezbollahu: Imagjinoni gjysmë ton eksploziv që bie mbi kokën e armikut

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2023, 20:50 | Bota

"Do të jetë tenxhere me presion", Hezbollahu: Imagjinoni

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hasan Nasrallah, është shprehur se Izraeli do të mbahet “nën presion” në kufi, në mënyrë që të mbetet i hapur fronti i dytë i forcave ushtarake izraelite, të përqendruara në ofensivë në Rripin e Gazës.

“Fronti libanez do të vazhdojë të jetë një front presioni”, deklaroi Nasrallah në një fjalim televiziv të raportuar nga gazeta “L'Orient le Jour”, ku paralajmëroi gjithashtu përdorimin e armëve të reja në konflikt. Kështu, Nasrallah ka aluduar për përdorimin ditët e fundit të dronëve të rinj dhe raketave Burkan, të cilat mbajnë një ngarkesë shpërthyese prej 300 deri në 500 kilogramë.

“Imagjinoni një gjysmë ton eksploziv që bie mbi kokën e armikut”, tha ai gjatë fjalimit të tij.

“Operacionet e përditshme kanë vazhduar, pavarësisht të gjitha masave parandaluese të marra nga armiku. Rezistenca vazhdon, pavarësisht nga dronët e armikut. Ky është një faktor i ri, por nuk pengon vazhdimin e operacioneve”, tha Nasrallah.

Udhëheqësi i Hezbollahut ka fajësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sulmet izraelite në Gaza dhe ka pranuar se ka pasur presion nga amerikanët për të shmangur një përshkallëzim të konfliktit: “Unë u them amerikanëve: nëse doni që frontet dytësore të ndalen, duhet të ndaloni agresionin në Gaza”.

Nasrallah ka përmendur gjithashtu sulmet kundër forcave amerikane në zona si Siria dhe Iraku: “Operacionet e vazhdueshme sigurisht që po ndihmojnë për të çliruar Irakun dhe Sirinë nga pushtimi amerikan. Por, objektivi imediat është ndalimi i agresionit kundër Gazës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos